Italia dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka zhvilluar takime në Itali me disa personalitete të larta shtetërore të Italisë. Aty është biseduar për forcimin e mëtutjeshëm të Kosovës me Italinë. Çollaku në Itali po qëndron me disa deputet të Komisionit për Integrime. Lexojeni të plotë komunikatën e lëshuar nga Ministria për Integrime Evrpoiane:

Prishtinë, 8 prill 2015 – Ministri i Integrimit Evropian, z. Bekim Çollaku, i shoqëruar nga kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, znj. Teuta Sahatqija, dhe anëtarët e këtij komisioni z. Ilir Deda dhe znj. Luljeta Veselaj Gutaj, sot kanë zhvilluar dy takime të ndara në Parlamentin Italian, me anëtar të Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane nga Dhoma e deputetëve dhe Senati. Në takimin në Dhomën e deputetëve të Parlamentit Italian prezent ishin, z. Fabrizio Cicchito, kryesues i Komitetit për Politikë të Jashtme dhe z. Michael Brodo, kryesues i Komitetit për Politika të BE-së si dhe anëtarët tjerë të komisioneve parlamentare përkatëse. Ndërsa takimin në Senatin e Republikës e udhëhoqi senatori Vannino Chiti, kryetar i Komisionit për Politika të BE-së në Senatin Italian. Në të dy takimet është biseduar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes të Kosovës dhe Italisë si dhe realizimin e marrëveshjeve dypalëshe me fokus në bashkëpunimin ekonomik, rritjen e investimeve italiane dhe shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve. Delegacioni i Republikës së Kosovës përveç këtyre temave diskutoi edhe për ngritjen e bashkëpunimit politik, përfshirë përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, njohjen e Republikës së Kosovës nga shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe përforcimin e bashkëpunimit ndërparlamentarë etj. “Në takimet e sotme me përfaqësuesit institucional, përfshirë parlamentarët italian që i takuam sot, është e qartë që me Italinë, Republika e Kosovës ka një miqësi të thellë dhe afatgjate dhe më la përshtypje fryma pozitive në raport me procesin e integrimit drejt anëtarësimit në BE si për Kosovës, si për vendet tjera të Ballkanit. Ishte një mundësi e mirë për të diskutuar se si mund ta thellojmë bashkëpunimin tonë edhe më shumë. Parlamentarët shprehën mbështetjen e madhe të Italisë për Republikën e Kosovës dhe për procesin e integrimit evropian, përfshirë nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të shpejtë të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe përfundimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ata gjithashtu u interesuan për zbatimin e reformave në një sërë fushash, ku me kënaqësi ne si delegacion i informuam për të arriturat e deritanishme dhe për ato që do të bëhen në ditët dhe javët në vazhdim, si në planin e integrimit evropian në përgjithësi, ashtu edhe në çështje të brendshme dhe të bashkëpunimit rajonal”, ka thënë Ministri Çollaku. Disa nga temat tjera për të cilat u interesuan për të dëgjuar më shumë ishin ato lidhur me progresin e Kosovës në adresimin e sfidave në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, luftimin e radikalizmit, adresimin e migrimit të parregullt, përfaqësimin institucional të grave, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë fetare etj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/italia-dhe-kosova-forcojne-bashkepunimin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala