ISIS, Iraku konfirmon shënjestrën, por gjendja e al-Baghdadit mbetet mister

Autori:Gazeta Fjala

Figura të larta drejtuese të Shtetit Islamik, plot 8 të tillë, besohen të kenë rënë viktima të një sulmi ajror të forcave irakene, teksa takoheshin në një qytet perëndimor të Irakut, por kreu i vetmuar i grupit xhihadist, Abu Bakr al-Baghdadi nuk duket të jetë mes tyre. Lajmi bëhet i ditur nga rezidentë lokalë dhe burime të spitalit dhe shëndetësisë.

Iraku bëri të ditur gjatë së dielës se forcat e saj ajrore goditën mbi takimin e militantëve të ISIS, ashtu sikurse edhe një autokolonë që dyshohet të ishte duke transportuar al-Baghdadin drejt atij takimi. Megjithatë, Baghdadi mësohet të jetë larguar nga autokolona në rrethana ende misterioze, ashtu sikurse e panjohur mbetet edhe gjendja e tij shëndetësore.

Njoftimi i ushtrisë irakene është raportimi i fundit i pakonfirmuar i vdekjes së mundshme apo plagosjes së al-Baghdadit, i cili u ka mbijetuar sulmeve ajrore prej një viti të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, por edhe luftërave shumëpalëshe në dy vendet e Lindjes së Mesme, Irak e Siri, që kur e shpalli veten kalif të të gjithë myslimanëve pasi forcat e tij pushtuan pjesën më të madhe të Irakut verior gjatë vitit të kaluar.

Një llogari në Twitter, që publikon deklarata nga Shteti Islamik bën të ditur se “thashethemet” se një sulm ajror kishte shënjestruar al-Baghdadin ishin të rreme.

Ndërkohë, një zyrtar ushtarak amerikan në Bagdad, duke folur në kushte anonimati, tha se SHBA-të nuk kanë vërejtur ndonjë shenjë treguese se al-Baghdadi është vrarë apo është plagosur gjatë operacionit.

“Forcat ajrore irakene kanë bombarduar autokolonën e terroristit Abu Bakr al-Baghdadi, teksa po i drejtohej një takimi në Karabla, për të biseduar me komandantë të Daeshit”, thuhet në deklaratën e ushtrisë irakene.

Daesh është akronimi arab i Shtetit Islamik, i njohur gjithashtu edhe si ISIS apo ISIL. Karabla është një qytet në provincën irakene të Anbarit, pranë kufirit me Sirinë, që është edhe fortesë e Shtetit Islamik, por nuk duhet ngatërruar me Kerbala, një qytet i shenjtë shiit në jug të vendit./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/isis-iraku-konfirmon-shenjestren-por-gjendja-e-al-baghdadit-mbetet-mister/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala