ISIS-i, përpjekje për t’u dukur shtet i mirëfilltë

Autori:Gazeta Fjala

Pas një fushate intensive terrori, pjesa dërrmuese e propagandës së Shtetit Islamik, më shumë sesa tek lartësimi i akteve të veta të dhunës, tani po përqendrohet tek përpjekjet për t’u shfaqur si një komb i mirëfilltë.

Studimi i fundit i realizuar nga “think tank”-u i sigurisë Quilliam tregon sesi grupi gjakësor është duke bërë sforco të mëdha për ta shitur veten si shtet i vërtetë dhe funksional. Ekipet mediatike të ISIS-it kanë prodhuar brenda një muaji 900 raporte, shkrime, video e programe radiofonike, 470 nga të cilat ishin tërësisht të fokusuara tek jeta e civilëve dhe shtetësia. Ato janë shpërndarë në mbarë botën përmes mediave sociale, e në mjaft raste edhe me “hashtag”-e për të shmangur bllokimin e kanaleve të zyrtarëve të ekstremistëve në këto platforma.

ISIS-i ka rreth 40 operatorë mediatikë aktivë në territoret që kontrollon. Pjesa më e madhe e informacionit përcillet në gjuhën arabe, megjithatë nuk janë të pakta edhe raportet e përkthyera në anglisht apo gjuhë të tjera të botës. Autori i studimit, Charlie Winter, vëren se ka një kthesë të narracionit në përgjithësi. Brutaliteti e rrëfenjat e mëshirës apo përkatësisë janë ende të pranishme, sqaron ai, megjithatë i shohim më të pakta në numër se ato që flasin për viktimizimin apo utopinë.

Sipas “think tank”-ut, ekipet mediatike të ISIS-it po përpiqen të vërtetojnë se grupi është mëse i aftë të administrojë tokën e pushtuar, e për këtë sjellin shembuj të shërbimeve publike sipas tyre mëse funksionalë apo dhe ato të një jete normale ekonomike./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/isis-i-perpjekje-per-tu-dukur-shtet-i-mirefillte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala