ISIS fiton 150 milionë dollarë në vit nga pambuku

Autori:Zekirja Shabani

Jo vetëm nafta, rrëmbimet dhe taksat mbi popullsitë e pushtuara. Tani edhe pambuku sirian i shitur në Evropë financon terroristët e Shtetit Islamik.

Sipas një studimi të publikuar nga e përditshmja franceze “Le Monde”, transmeton TCh, një pjesë e prodhimit të industrisë tekstile siriane ushqen arkat financiare të ISIS.

Kundrejt çdo pritshmërie, pavarësisht dhunës së konfliktit, prodhimi i pambukut nuk është zhdukur nga Siria, shkruan gazeta.

Studimi i Anne Laure Linget Riau, eksperte e furnizimeve ndërkombëtare në sektorin e tekstileve, tregon se 6 për qind e importit të pambukut në Turqi vjen nga fushat që në 90 për qind të rasteve kontrollohen nga fundamentalistët islamikë.

Kjo ka çuar në arkat e organizatës terroriste rreth 150 milionë dollarë vetëm vitin e fundit. Për rrjedhojë, industrialistët turq negociojnë uljen e çmimeve, në mënyrë që prejardhja e lëndës të mos gjurmohet.

Një e pesta e bluzave “t-shirt” të fabrikuara në Turqi janë me pambukun që kultivohet në veri të Sirisë. Rrjedhimisht llogaritet që 1.2 për qind e bluzave të shitura në Francë financojnë direkt Shtetin Islamik.

“Në vitin 2010, Siria ishte prodhuesi i dhjetë në botë i pambukut, i treti i pambukut bio, që shërbente për të fabrikuar fanelat e kompanive private”, sqaron ekspertja.

Por edhe pse ndërkohë ka humbur shumë pozicione, Damasku vazhdon të eksportojë veshje, përbërja e të cilave është nga pambuku që ndodhet në fushat veriore, në territoret e ISIS.

Në Perëndim, Gjermania ka vendosur të mos importojë më nga Siria, në shenjë proteste ndaj regjimit të Assad. Por ndërkohë, Franca është bërë tregu i tretë i importit të pambukut Sirian, pas Italisë dhe Greqisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/isis-fiton-150-milione-dollare-ne-vit-nga-pambuku/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala