Ishulli ku asgjë nuk ka kuptim

Autori:Zekirja Shabani

Një copëz e territorit britanik, diku mes Brazilit dhe Afrikës, në Atlantik, Ascension është një vend i çudive të pafund.

Zyrtarisht, askush nuk është nga ky vend.

Qeveria britanike e mohon të drejtën e vendbanimit, duke i kthyer 800 e ca qytetarët britanikë, që jetojnë në këtë ishull prej dekadash, në vizitorë të përkohshëm.

Për të hyrë, duhet të merrni leje me shkrim tek përfaqësuesi i Mbretëreshës, i njohur si Administratori.

Aeroporti- pista e të cilit dikur ka qenë më e gjata në botë- e projektuar për të akomoduar shatëllat hapësinorë- është në dispozicion të Forcave Ajrore Amerikane, të cilët ofrojnë akses të limituar për Britaninë.

NASA i ka ndjekur uljet e misioneve Apollo në Hënë prej këtij ishulli.

Agjencia Hapësinore Europiane i monitoron hedhjet e raketave prej këtu.

Kodrat e ishullit janë të mbushura me tabela ushtarake dhe antena satelitore- por se kë dëgjojnë dhe çfarë dëgjojnë, kjo nuk dihet.

Mjedisi natyror i çuditshëm i këtij ishulli është perfekt për të gjithë këto çudi.

Një pasdite kalova aeroportin Wideawake, që mendohet se e ka marrë emrin për shkak të rolit në rifurnizimin e avionëve britanikë që fluturojnë nga Britania drejt ishujve Falkland.

Përgjatë brigjeve mund të gjesh me qindra e mijëra zogj detarë, të njohur me emrin “wideawake”, për shkak të zhurmave që bëjnë nëpër këto fusha përgjatë gjithë kohës.

Ascension është një tip i vullkanit nënujor, që doli në sipërfaqe rreth një milion vjet më parë.

Mund të jetë akoma në prag shpërthimi, siç ndodhi në shekullin e 16-të.

Derisa britanikët u vendosën këtu në vitin 1815, ishte i pabanuar.

Anijet nuk para ndalonin.

Megjithatë marinarët që e vizituan në vitin 1726, zbuluan aty një tendë dhe një ditar.

Ato mendohet se i përkisnin Leendert Hasenbosch, një marinar holandez, që ishte dërguar në këtë ishull si ndëshkim për faktin se ishte homoseksual.

Në ditar ai dokumenton përpjekjet e tij të dëshpëruara për ujë dhe ushqim, ndërsa thekson se kishte nisur të pinte gjakun e breshkave dhe zogjve të detit, por edhe urinën e tij.

Fati i tij nuk dihet, pasi nuk është gjetur një skelet.

Rreth 80 vite më vonë, kur britanikët u vendosën në ishull për të dekurajuar përpjekjet e francezëve që të shpëtonin Napoleonin, që ishte dënuar në ekzil në ishullin St. Helena, rreth 700 milje larg, nuk gjenin dot ujë të freskët.

“Pranë bregut, asgjë nuk rritet,” shkruante Çarls Darvin.

“Ishulli është thuajse pa asnjë pemë”.

Darvin synonte që ishulli të bëhej i banueshëm për njerëzit.

Ai hartoi një plan me mikun e tij, Xhozef Huker.

Ata do mbillnin pemë përgjatë pikës më të lartë në ishull, Mali Jeshil, në një lartësi prej 859 metra.

Gjethet do krijonin lagështirën e nevojshme, ndërsa erërat do siguronin edhe furnizimin me ujë për trupat.

Projekti synonte krijimin e kullotave për bagëtitë dhe tokë për të mbjellë perime.

“Siç mund ta shihni nga bimësia që na rrethon, plani ishte jashtëzakonisht i suksesshëm,” thotë biologu Sem Ueber, ndërsa qëndron në mes të një minipylli me fikus, bambu, xhenxhefil dhe gujava.

Ne jemi disa minuta larg llavës djegëse, por këtu është butë dhe freskët.

“Por gjykuar me standardet e sotme, shumë shkencëtarë do thonin se ajo që bënë ata, është një fatkeqësi. Në një nivel sipërfaqësor duket si një parajsë tropikale. Është lagështirë, ka shumë bimë, por nën sipërfaqe nuk ka asgjë nga ndërlidhja komplekse e një pylli tropikal. Të gjitha speciet po zhduken”.

Në vend mund të gjesh vetëm disa kullosa të vogla dhe të brishta, të cilat ishte menduar se ishin zhdukur, por u rizbuluan në vitin 2009.

Edhe BBC nuk ndihmoi në këtë drejtim.

Inxhinierët që mbërritën në mesin e viteve ’60 për të vendosur transmetues për Shërbimin Botëror në Afrikë dhe Amerikën e Jugut, ndërtuan një fshat, pak milje larg kryeqytetit të fjetur, Xhorxhtaun.

Ata vendosën të mbjellin një bimë të veçantë, gjembin meksikan, për të lidhur tokën e thatë.

Sot, gjembi është përhapur me shpejtësi, duke dominuar hapësira të tëra.

“Mendohet se janë 38 mijë rrënjë të tilla,” thotë Ueber.

“Është e vështirë të kontrollohen fizikisht. Rrënjët janë 20 deri në 30 metra të thella. Po kërkojmë për metoda biologjike për kontrollin e tyre”.

Gjërat kanë shkuar shumë larg në përpjekjet për restaurimin e mjedisit të degraduar të ishullit.

Ueber tani planifikon që të përdorin specie invazive si pjesë e një strategjie për të zhbërë kaosin e krijuar nga Huker dhe Darvini.

Një opsion është shtrirja e ambientit detar.

Për më shumë se 500 vite, njerëzit e kanë vizituar ishullin, ndërkohë që breshkat ishin ushqimi kryesor.

Marinarët i merrnin këto krijesa, që peshojnë deri në 250 kg, në anijet e tyre dhe ushqeheshin për javë të tëra me supën e tyre.

Por ato mbaruan në vitet ’30.

U deshën dekada të tëra që ato të riktheheshin për të depozituar vezët në plazhin e lindjes së tyre.

Numri i breshkave nisi të marrë veten në vitet ’70.

“Që prej atëherë ka pasur një shtim të pabesueshëm të numrit të breshkave të detit,” thotë Nikola Ueber, dejtore i Konservimit.

“Tani kemi nisur të shohim efektet pozitive të këtij shtimi”.

Ascension IslandAscension IslandAscension IslandTurtle - Ascension Island

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ishulli-ku-asgje-nuk-ka-kuptim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala