Ish-ushtari i NATO-s: Kosova nuk ka trashëgimi, gjithçka është e Serbisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Ish ushtari danez i NATO-s që ka shërbyer në Kosovë, tash deputet në Danimarkë, Jeppe Jakobsen, sipas gazetës serbe “Blic”, me keqardhje ka komentuar mbi votimin e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s për ta rekomanduar anëtarësimin e Kosovës tek Asambleja e Përgjithshme.

“Kosova nuk do të pranohet në UNESCO. Kosova nuk është shtet sovran, as nuk do të jetë kurrë. Është pjesë e privuar e Serbisë. Pranimi i Kosovës në UNESCO do të ishte fyerje për Serbinë”, ka thënë ai, raporton “Blic”, transmeton Indeksonline.

Jakobsen tash është deputet në Danimarkë, ndërsa ka bërë thirrje për liderët e organizatës së UNESCO-s, se ata që duhet të merren nën krahët e tyre dhe të mbrohen janë serbët, pasi sipas tij, trashëgimia serbe është djegur e shkatërruar jo shumë kohë më parë.

“UNESCO mbron trashëgiminë a po? Nëse shikoni me vëmendje, dhe keni një dije bazike mbi historinë, do të vëreni se e gjithë trashëgimia kulturore në Kosovës është serbe. Patriarkana e Pejës, e Deçanit, kishat në Fushë Kosovë dhe e gjitha krahina… që të gjitha që janë djegur nga shqiptarët me qëllim. Sot, papritur, ata e shpallin trashëgiminë serbe si të veten. Trashëgimia dhe historia janë në anën e Serbisë, dhe askush nuk mund ta ndryshojë atë. Kosova është pjesë e Serbisë”, ka shkuar më tej ai.

Ndërkaq, sipas deputetit danez dhe anëtarit të Partisë Kombëtare të Danimarkës, Jakobsen, një tjetër arsye se përse Kosova nuk duhet të jetë pjesë e UNESCO-s është se në këtë mënyrë Kosova do të njihet dhe legjitimohet si vend sovran.

“Kosova jo vetëm që nuk i plotëson kriteret për një shtet të pavarur, pasi nuk ka gjuhë dhe popullata nuk është e vetja (për shkak se Kosova nuk ekziston, ekzistojnë shqiptarët), por nuk ka as kulturë të veten. Përveç kësaj Kosova ka dëshmuar se nuk mund të funksionoj si një shtet i pavarur. Nuk kanë prodhim, ndërsa papunësia është si një lloj “sporti kombëtar”, emigrimi është i madh, të gjithë ikin. E vetmja gjë e begatë aty është krimi. Një vendi të tillë nuk mund t’i lejohet anëtarësimi në UNESCO”, ka përfunduar Jakobsen.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ish-ushtari-i-nato-s-kosova-nuk-ka-trashegimi-gjithcka-eshte-e-serbise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala