Ish ministri Gashi tregon çka ndodhi me milionat për ujin, gurëthyesit dhe sekretarin pa diplomë

Autori:Avdyl Pajaziti

Gazeta Fjala ka vazhduar tutje hulumtimin në lidhje me temat e nxehta rreth Ministrisë së Mjedisit, ku nuk janë të inkasuara rreth 100 milionë euro, ku gurëthyesit dhe mjedisi në përgjithësi u degradua, përderisa Sekretari Permanent, që është personi më përgjegjës për këto cështje, ishte zgjedhur jashtëligjshëm, pa poseduar as diplomë fakulteti. Dardan Gashi, ministër në atë kohë, ka folur për secilën nga këto çështje. Ai, në intervistën për Gazetën Fjala flet se si dërgoi lëndët për prodhuesit që përdorin ujin në gjykata, si ata nuk donin në asnjë mënyrë të paguanin dhe të gjendej marrëveshje, sikurse si u dhanë lejet për gurëthyes aty ku nuk do të duhej të jepeshin.

Gazeta Fjala: Çka ndodhi realisht me ujëra?

Dardan Gashi: Po, është e vërtetë se ka patur neglizhencë. Para meje nuk ishte marrë askush. Besim Dobruna e inicoi këtë dhe unë u takova me prodhuesit që përdorin ujin. Ata e kishin një shoqatë të veten dhe ua bëra të qartë se duhet të fillojnë të paguajnë. Por, ata e quanin atë tarifë ndëshkuese dhe se do të humbinin në raport me kompanitë e rajonit. Biseduam edhe me përfaqësuesin në Odën Ekonomike të Kosovës dhe nuk mundëm të arrijmë pajtim asnjëherë. Kur u shterën mundësitë, atëherë e dërguam lëndën në gjykatë.

Gazeta Fjala: Dhe çka bëri gjykata?

Dardan Gashi: Gjykata si zakonisht  s’ka bërë asgjë. Borxhet ishin të vjetra. Dërgimi i lendeve në gjykatë ishte zgjidhja më e mirë pasi ne nuk mund t’iu mbyllnim 30 fabrika dhe të furnizoheshim pastaj edhe më ato produkte nga vendet e rajonit.

Gazeta Fjala: Cili është qëndrimi juaj?

Dardan Gashi: Qëndrimi im ka qenë dhe është që ai borxh duhet paguar.

Gazeta Fjala: Por, bëhet fjalë për shuma marramendëse…

Dardan Gashi: Ne jemi munduar të gjejmë zgjidhje, ta ndryshojmë atë. Por, problemi ishte se ne me ata që tentuam ta ndryshojmë ligjin, pra me prodhuesit nuk mund të gjendje ndonjë gjuhë e përbashkët. Si duket ata më dëshirë kishin të mos paguanin se sa ta ndryshonin ligjin. Nuk ishin aspak kooperativ dhe shpesh i kemi ndërprerë takimet në mënyrë aspakt të këndshme.

Gazeta Fjala: Po me zhavorrin dhe gurëthyesit çka ndodhi?

Dardan Gashi:  Po me zhavorrin dihet se çka kam bërë. Ajo çështje ndryshoi për të mirë sa isha unë ministër. Ndërsa, sa i përket gurëthyesve kjo është çështje e KPMM-së, pra inkasomi i mjeteve.

Gazeta Fjala:  Pse nuk u intervenua tek gurthyesit?

Dardan Gashi: Është intervenuar, janë mbyllur disa. Por, nuk mundëm të intervenonim tutje sepse ata ishin të pajisur me të gjitha lejet e mundshme.

Gazeta Fjala: Po a është mirë a keq që janë të pajisur me ato leje?

Dardan Gashi: Ka gurëthyes që duhet mbyllur. Ne nuk mund t’i mbyllnim pikërisht për shkak të atyre lejeve. Por, ata janë të vendosur dhe operojnë aty ku nuk duhet.

Gazeta Fjala: A do të thotë kjo se KPMM dhe Ministria e Mjedisit para ardhjes tuaj kanë bërë shkelje ligjore kur dhanë ato leje?

Dardan Gashi: Jo, por kanë qenë më liberalë se sa që duhet të ishin.

Gazeta Fjala: Çka ndodhi me punën e sekretarit pa diplomë. Pse u lejua të vazhdonte detyrën?

Sa I përket sekretarit ajo nuk është çështje e imja. S’ka pasur të bëjë me mua asnjëherë.

Gazeta Fjala: Po ai ishte vartës i juaji…

Dardan Gashi: Ai ka mundur të jetë. Por, zgjedhja e tij ishte çështje e ministrisë së administratës publike

Gazeta Fjala: Aty kishte shkelje…

Dardan Gashi: Këshilli është dashur të veprojë apo kushdo që ka qenë kompetent

Gazeta Fjala: A do të duhej të interesonte edhe ty…

Dardan Gashi: Kanë qenë institucionet relevante. Unë nuk jam marr me stafin civil

Gazeta Fjala: Por, sekretari permanent i jep përgjegjësi direkte ministrit..

Dardan Gashi: Nuk kam pasur asnjë vërejtje në punën e tij.

Gazeta Fjala: Po atij i ka munguar diploma…

Dardan Gashi: Unë nuk e di që i ka munguar diploma

Gazeta Fjala: Ka konstatuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës …

Dardan Gashi: Mua do të duhej të më njoftonin, por s’më ka njoftuar askush. Por, unë nuk jam i thirrur të flas për këtë çështje. Nëse ka pasur mungesë dokumentacioni është dashur të veprojnë personat kompetent. Unë nuk kam vërejtje si ka punuar ai si sekretar.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ish-ministri-gashi-tregon-cka-ndodhi-me-milionat-per-ujin-gurethyesit-dhe-sekretarin-pa-diplome/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala