Ish-kryetari i Kamenicës sot para gjykatës

Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar se sot do të mbahet seancë gjyqësore ndaj ish-kreut të Kamenicës, Shaip Surdulli, i dyshuar për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.
Seanca do të fillojë në ora 14:00, ku kryetari i truput gjykues do të jetë Afrim Shala.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan-Departamenti për krime të rënda në vitin 2003, ka nisur hetim zyrtar kundër ish-kreut të Kamenicës, Shaip Surdulli, i dyshuar për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria Themelore në Gjilan në kuadër të Departamenti për krime të rënda ka nxjerrë aktvendim për zhvillimin e hetimeve kundër Shaip Surdullit kryetar i Komunës së Kamenicës.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se gjatë vitit 2011 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit, ashtu që ka krijuar shpenzime pa mbulesë duke e shfrytëzuar veturën zyrtare, dhe duke mos mbajtur evidencë për kilometrat e kaluara dhe duke përdorur veturën zyrtare për nevoja personale, private jashtë obligimeve zyrtare”, thuhet në aktvendimin e nxjerrë nga prokurori i rastit Arben Kadriu.