Isa pushon në Boletin

Kryeministri Isa Mustafa, në ceremoninë e rivarrosjes së Isa Boletini, ka thënë se pikërisht në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit po nderohet Heroi i Kosovës, tribunin e kombit shqiptar.
“Ashtu siç ngjet gjithmonë me njerëzit e epokave, edhe kësaj radhe, Isa ynë bëhet urë bashkimi për ne të gjithë, pavarësisht nga bindja jonë politike, apo nga prejardhja jonë rajonale”, ka thënë Mustafa në fjalën e tij.
Mustafa, ka thënë se përtej ngurtësisë të pragmatizmit politik, Isa Boletini, ishte njeriu i idealeve madhore kombëtare.
“Duke qenë i këtyre përmasave, ai na bashkon edhe sot, në ditën kur po mbyllet udhëtimi i tij i gjatë pothuajse shekullor drejt Boletinit të tij, aty ku lindi dhe aty ku e pret toka e tij, vendi nga i cili nga sot do të bëhet një panteon i ri i shqiptarizmit, një vend i shenjtë, ku të gjithë ne do të përkulemi me nderim në të ardhmen”.
Heroi Isa Boletini po i rikthehet sot vendlindjes pasi ka udhëtuar simbolikisht nëpër qendrat kryesore kosovare, nëpër të cilat edhe njëherë përçoi mesazhin e madh të unitetit dhe të dashurisë pa kushte në mes të vëllezërve të një gjaku e të një gjuhe, në mes të vëllezërve të një fati e të një ëndrre, ka thënë Mustafa.
Përtej simbolikës, sipas Mustafës, kthimi i eshtrave të Heroit të Kosovës, Isa Boletini, në Kosovë, në vendlindjen e tij, është detyrim shtetëror, ndaj këtij vigani të historisë kombëtare, jeta dhe vepra e të cilit ka qenë, është, dhe do të mbetet përgjithmonë inspirim për brezat e rinj, përcjell koha.net.
“Isa po i kthehet përfundimisht Kosovës, po i kthehet Boletinit të tij të dashur, në të cilin pushtues të ndryshëm rrënuan çdo gjë, ia dogjën kullat disa herë, porse ai dhe Boletinët e tij i ringritën sërish nga e para të gjitha ato që u rrënuan, siç është ringritur shqiptari prore që nga koha e Skënderbeut e këtej”, ka thënë Mustafa. “Isa do të prehet në dheun e vendlindjes së tij në Boletin, po rivarroset aty nga u nis në beteja me trimat e tij, aty nga shtegtoi në Vlorë për të shpall pavarësinë e shtetit shqiptar”, ka shtuar më tej.
Isa Mustafa, tha se Isa Boletini është Hero i Kosovës, dhe si i tillë duhet të ketë nderimin e të gjithë neve dhe të gjithë qytetarëve.
“Isa Boletini nuk është vetëm simbol i unitetit shqiptar, simbol i vetëflijimit për lirinë dhe prosperitetin e kombit të tij, por është edhe një simbol i jashtëzakonshëm i luftës dhe flijimit për lirinë universale njerëzore”.