Isa Mustafës i ikën një biznesmen

Autori:Zekirja Shabani

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka mbetur pa avokatin Besnik Berisha. Ai nuk është më këshilltar politik i kreut të ekzekutivit.

Sipas të parit të qeverisë kjo është bërë për shkak se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka dhënë një vlerësim se Berisha nuk mund të jetë edhe këshilltarë edhe bashkë-pronar i kompanisë së sigurimit fizik “Balkan International”.

“Është e vërtetë se kam marrë kërkesën e këshilltarit tim Besnik Berisha që ai të tërhiqet nga pozita e këshilltarit politik për shkak se ka qenë vërejtje e AKK-së . Ai është tërhequr, e kam shkruar vendimin për tërheqjen e këshilltarit politik.  Ai tashmë është  vetëm ekspert- këshilltar i angazhuar. Unë do të angazhoj edhe ekspertë të tjerë sepse kemi nevojë”, ka thënë Mustafa.

Gazeta Fjala, pati raportuar se në kabinetin qeveritar, përveç ministrave biznesmen Isa Mustafa ka angazhuar edhe këshilltar biznesmen. Madje edhe aso që mund ti ofrojnë edhe siguri fizike në rast të rrezikut.
Lexo këtu…

Gazeta Fjala ka raportuar se Agjencia Kundër Korrupsionit ishte duke e hetuar angazhimin e këshilltarit Berisha për mundësi të konfliktit të interesit. Ndërkaq, vetë Berisha në një prononcim për Gazetën Fjala, ka pranuar se ka vazhduar të jetë bashkë pronarë i kompanisë së sigurimit fizik “Balkan International” edhe pas angazhimit si këshilltar për qështje ligjore në zyrën e kryeministrit.

Çështja e tashmë ish-këshilltarit Besnik Berisha u hap nga pyetja e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila kritikoi angazhimin e Berishës në zyrën e kryeministrit.

“Unë e di që keni nevojë për këshilltar por po ju këshillojnë keq. Ne e njohim z. Berisha sepse ne e dimë mendimin e tij për riprocedimin e amendamentit për Gjykatën Speciale”, deklaroi Haxhiu.

Edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi kërkoi sqarim nga kryeministri Isa Mustafa të  tregojë se përse ai nuk po i përgjigjet pyetjeve të deputetëve.

“Ne do të bëjmë përpjekje maksimale t’u përgjigjemi pyetjeve. Nuk kam ndonjë arsye të veçantë t’i evitohem përgjigjeve”, tha kryeministri Mustafa. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/isa-mustafes-i-iken-nje-biznesmen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala