Isa Mustafa premton investime në Suharekë

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri Isa Mustafa, ka vizituar të shtunën Komunën e Suharekës, ku është takuar me kryetarin Sali Asllanaj.

Pas takimit, kryeministri Isa Mustafa theksoi se është punuar mjaft shumë në këtë Komunë sa i përket ndërtimit të infrastrukturës dhe zgjidhjes së problemeve të drejtpërdrejta të qytetarëve.

Kryeministri vlerësoi po ashtu lidhjen shumë të mirë me qytetarët, edhe sa i përket investimeve dhe një pjesëmarrjeje të konsiderueshme të tyre në investimet që janë kryer këtu në Komunë.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se problem jetik i Komunës mbetet zhvillimi ekonomik, përkrahja e bujqësisë, duke veçuar rezultatet shumë të mira që mund të jenë në fushën e bujqësisë.

“Lypset përkrahje më e madhe e bujqve për arsye se edhe klima por edhe shprehitë e punës të kësaj pjese janë shumë të pëlqyeshme dhe të cilat krijojnë mundësi konkurruese me prodhuesit e tjerë nga të cilët ne importojmë këtu. Ka kërkesa po ashtu që të krijohen hapësira të ndryshme për tërheqjen e investitorëve të jashtëm dhe ne do të punojmë bashkërisht me Komunën që krahas ndryshimeve të ligjeve që do t’i bëjmë në nivel të vendit të krijojmë hapësira që investimet t’i drejtojmë më tepër nëpër komuna dhe të kemi një bashkëpunim shumë më të drejtpërdrejtë me kryetarë të komunave dhe me organe tjera të komunave në mënyrë që të fillojmë t’i zgjidhim problemet krahas një përkrahje më të madhe nga vetë udhëheqësit komunalë dhe nga pushteti lokal”, deklaroi kryeministri Isa Mustafa.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, tha se me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, kanë biseduar për hallet e Komunës dhe projektet e Komunës. “Prej kryeministrit morëm garancione se do të kemi mbështetjen për të gjitha këto halle, për të gjithë këto projekte të cilat janë në funksion të mirëqenies së qytetarëve dhe të zhvillimit ekonomik të Komunës tonë, do të kenë përkrahje, dhe kjo na jep kënaqësinë që për ne si Komunë ndoshta po vijnë ditë shumë më të mira, që të kemi një mbështetje shumë më të madhe të Qeverisë së Kosovës”, tha kryetari Asllanaj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/isa-mustafa-premton-investime-ne-suhareke/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala