Isa Mustafa për Asociacionin: Zgjidhje e mirë, por jo ideale

Autori:Gazeta Fjala

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes llogarisë së tij në rrjetin social, Facebook, duke synuar t’u përgjigjet kështu kritikëve të nënshkrimit të Marrëveshjes për formimin e Asociacionit të Komunave serbe, thekson se Asociacioni si zgjidhje të mirë, por jo ideale, dhe që ruan sistemin kushtetues të Kosovës.

Ky është teskti i plotë i postimit të kryeministrit Isa Mustafa:
Ne nuk duhet të frikësohemi nga të drejtat që ua japim të tjerëve, duhet të frikësohemi nëse i keqpërdorim të drejtat tona, transmeton koha.net.

Para katër viteve erdhi komandanti i KFOR-it në zyrën time, atëherë në Prishtinë , dhe më tha: “disa udhëheqës të lartë të Kosovës e kanë keq që po shërbehen me fjalë dhe premtime të mëdha. Duhet ta kenë të gjithë të qartë se ne nuk kemi ardhur të luftojmë në Kosovë, jemi këtu në mision paqeruajtës. Ju duhet me mjete politike të zgjidhni Veriun, luftë tjetër nuk do të lejojë Aleanca Veriatlantike”
Asociacioni, për të cilin Kuvendi i Kosovës ka vendosur në vitin 2013 është zgjidhje e mirë, jo ideale.

Me parimet që i kemi marrë vesh më dt 25 gusht të këtij viti, pas muaj e ditë të tëra të dialogut politik dhe teknik , është ruajtur plotësisht sistemi kushtetues i vendit. Çdo vendim për themelim dhe ndryshime për Asociacionin kalon përmes mendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ne jemi popull normal dhe shtet normal, prandaj interpretimet e akteve ua lëmë t’i bëjnë ata qe kanë legjitimitet dhe ekspertizë, jo rrugës dhe frustrimeve politike.

Gjate grevës së minatorëve në fillim të këtij viti, e pata pyetur Bordin e Trepçës se a munden ata të menaxhojnë Trepcën në veri, nëse e shpallim sot kompani publike. Më thanë Jo. Por më thanë se minatorët e dëshirojnë të jetë publike. Unë ju them se me këtë marrëveshje Trepçën e bëjmë një, si pronë të Kosovës. Jo të Asociacionit. Ju gënjejnë ata që thonë se Asociacioni është pronare e pasurive tona.

Është e saktë se përmes Asociacionit komunat me shumicë serbe do të kenë pamje të plote në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik lokal, zhvillim urban e infrastrukturor. Kjo nuk duhet t’i pengojë askujt, sepse ne e kemi përjetuar vetë sa rëndë është kur dikush ta mohon të drejtën të mësosh fëmijët e tu e të shërohesh ashtu siç ti dëshiron.

Prandaj në shekullin e 21-të në procesin e integrimeve botërore ne do të pranojmë këto të drejta, sepse jemi ne ata që na janë mohuar ato, përfundon postimi kryemninsitrit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/isa-mustafa-per-asociacionin-zgjidhje-e-mire-por-jo-ideale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala