Isa Mustafa : Do e hapim temën e të zhdukurve

Autori:Gazeta Fjala

 

Kryeministri Mustafa thotë se tani është krijuar mundësia që në Bruksel të hapet tema e të zhdukurve. Ai ka bërë sot homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, në Prishtinë.

Ai ka shprehur për njerëzit që ende nuk janë gjetur, duke theksuar përkushtimin dhe përkrahjen e plotë të Qeverisë së Kosovës për të punuar pareshtur në zbardhjen e fatit të njerëzve të zhdukur të Kosovës, si dhe duke ofruar mbështetje të gjithanshme për familjarët e tyre.

“Ne kemi dalë sot këtu bashkërisht me familjarët e personave të pagjetur, me Komisionin Qeveritar dhe me veprimtarët të cilët kanë punuar shumë për këtë çështje, që të shënojmë “Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve”, që të shprehim keqardhjen tonë dhe dhimbjen tonë për njerëzit tanë që akoma nuk janë gjetur dhe për të cilët duhet të punojmë shumë si Qeveri, do të punojmë shumë si institucione të Republikës së Kosovës”.

“Duhet të përkrahim të gjitha komisionet dhe trupat të cilat po punojnë pareshtur, t’ju japim mbështetje të madhe familjarëve, sepse më së vështiri e ndjejnë ata këtë dhimbje, edhe pse gjithmonë kjo dhimbja nuk është vetëm e tyre, por është dhimbje e Kosovës, dhimbje e të gjithë neve”.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka apeluar te komuniteti ndërkombëtar që të kërkojë nga Serbia që të hapen të gjitha mundësitë, që të hulumtohen, që të kryhen gërmimet dhe që të jepen informata lidhur me njerëzit e Kosovës që janë marrë, janë grabitur nga Kosova dhe për të cilët akoma nuk ka të dhëna se çfarë ka ndodhur, ku kanë mbetur dhe ku janë.

“Kërkojmë që të hapen të gjitha arkivat në mënyrë që të gjenden të gjitha të dhënat të cilat do të mundësojnë zbardhjen e rasteve dhe po ashtu të gjithë ata që kanë kryer këto veprime të përgjigjen para ligjit”

“Duhet të përgjigjen të gjithë ata që kanë bërë gjenocid në popullatën tonë, të gjitha ata që kanë bërë krime në njerëz të pafajshëm dhe të gjithë ata që i kanë sjellë familjet dhe Kosovën në këtë gjendje, që 16 vjet pas lufte të mos dinë se ku janë mbi 1650 të afërm të tyre”.

Mustafa ka bërë të ditur se kjo çështje është hapur edhe Përfaqësuesen e Lartë të BE’së, Federica Mogherini, në fillim të bisedave në Bruksel.

“Do ta hapim tani, sepse tani është krijuar mundësia që të hapen tema të cilat janë shumë të rëndësishme për ne, dhe unë mendoj se temë më e rëndësishme dhe më e vështirë por edhe më meritore për t’u diskutuar dhe për të gjetur zgjidhje se kjo e të pagjeturve nuk ka”, ka deklaruar Mustafa.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/isa-mustafa-do-e-hapim-temen-e-te-zhdukurve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala