IPKO me 4G shumë shpejtë edhe në qytetet jashtë Prishtinës

Në një intervistë të dhënë për Radio Televizionin e Kosovës, zyrtarët e telefonisë mobile IPKO kanë njoftuar se përveç zgjerimit të rrjetit 3G dhe rritjes së kapacitetit do të fillojë edhe me ofrimin e rrjetit 4G nëpër qytetet e mëdha të Kosovës. Sipas deklarimit zyrtar të IPKO-së, ky zgjerim pritet të ndodhë në javët në vijim.
Sipas zyrtarit të IPKO-së, Alban Kastrati thuhet se IPKO brenda javëve të ardhshme do të fillojë me ofrimin e rrjetit 4G në të gjitha qytetet e Kosovës, si dhe me vazhdimin e zgjerimit të rrjetit 3G edhe nëpër zona rurale, projekt të cilin tashmë IPKO e ka filluar.
Në ndërkohë, shefi i ARKEP, Ekrem Hoxha ka folur për brezin e ri frekuencor të cilin do ta mundësojë rregullatori, dhe ka thënë se aktualisht operatorët mobil kosovar janë të licencuar për ofrimin e rrjeteve 3G dhe 4G, mirëpo sipas tij, brezi frekuencor nuk u lë atyre mundësi për shërbim të dëshirueshëm.
“Autoriteti duhet të vendos resurse frekuencore shtesë, në mënyrë që operatorët këto investime të mëdha që i kanë bërë në teknologji të mund ti afrojnë më shumë për konsumatorët e tyre, për ta rritur shpejtësinë e internetit dhe për ta rritur përvojen pozitive nga përdorimi i komunikimeve elektronike” ka thënë Ekrem Hoxha, kryetar i Bordit të ARKEP.