IPK-ja këtë vit pritet ta hap zyrën në Mitrovicën e Veriut

Autori:Avdyl Pajaziti

Inspektorati Policor i Kosovës po synon që këtë vit të përfundoj hapjen e tri zyrave rajonale, me qëllim që të ofrohet sa më afër qytetarëve.

Përderisa, IPK ka hapur zyrat e veta në Gjilan dhe Prizren, deri në fund të vitit pritet ta hap një zyre edhe në Mitrovicën e Veriut.

Zyrtarët e IPK-së theksojnë edhe sfidat që janë paraqitur në realizimin e këtij projekti, por që janë tejkaluar me sukses. Ndërsa, deputetë të Kuvendit thonë se është momenti që Inspektorati të shtrij autoritetin edhe më shumë edhe në Veri të vendit.

Udhëheqësi i Divizionit për Marrëdhënie me Publikun dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar në Inspektoratim Policor të Kosovës, Arbër Beka thotë për KosovaPress, se pas hapjes së dy zyrave tjera rajonale, në Gjilan dhe Prizren, janë duke punuar që e njëjta të hapet edhe në Mitrovicën e Veriut, që si qëllim ka lehtësimin e komunikimit të qytetarëve me IPK-në.

Sipas tij, janë dy qëllime kryesore që parashihen edhe në kuadër të projektit që ka përgatitur IPK-ja, e para që Inspektorati të jetë sa më afër qytetarëve dhe e dyta, fuqizimi i kredibilitetit të Policisë së Kosovës.

Beka: Këtë vit planifikojmë hapjen e zyrës në Mitrovicën e Veriut

“Në kuadër të fazës së parë të projektit parashihet që brenda këtij viti të hapet edhe zyra e tretë. Zyra është planifikuar pikërisht të hapet në Veri të Republikës së Kosovës, apo në Veri të Mitrovicës…IPK funksionon në tërë territorin e Kosovës. Kjo nënkupton që ne realizojmë inspektime hetimore ose inspektuese që janë fushëveprime kryesore të IPK-së edhe në këtë pjesë të vendit. Kjo do të thotë se hetuesit tanë janë në baza ditore duke kryer aktivitetet e tyre ligjore edhe në pjesën veriore të vendit. Mirëpo, ideja e hapjes së zyrës është që t’iu lehtësohet komunikimi qytetarëve me inspektoratin policor që të jemi afër tyre”, tha Beka.

Sipas Bekës, IPK-ja gëzon besueshmëri të lartë nga qytetarët e të gjitha etnive dhe kjo dëshmohet me numrin e ankesave që janë adresuar në këtë institucion vitin e kaluar, ku e ka kaluar shifrën mbi 1 mijë sosh, derisa vetëm nga komuniteti serb kanë qenë 54 ankesa.

Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës e theksojnë të nevojshëm hapjen e një zyre të IPK-së në Veri. Deputeti i LDK-së në Kuv endin e Kosovës, Nuredin Ibishi thotë për KosovaPress se tash është koha e duhur që IPK-ja të jetë edhe më e pranishme në Veri me një zyrë e cila do të jepte rezultatet e veta.

Ibishi: Momenti i duhur që IPK-ja të hap zyrën e vet në Veri

“Mendoj që është mirë se këto dy rajonet e reja Mitrovica e Veriut dhe Gjakova, sidomos Veriu si rajon i ri për shkak të shumë rrjedhave të fundit atje, sidomos të strukturave ilegale atje në sektorin e sigurisë, mendoj që është momenti i duhur që IPK-ja të hap zyrën rajonale atje dhe IPK-ja t’i dërgoj inspektorët e vet. Dhe mendoj që kjo do të jep rezultate sidomos në aspektin pas përfoljeve se Policia e Kosovës vepron nën zinxhirin unik komandues në tërë Kosovën. Mendoj që kjo do të tregoj se është kontrolli në Veri dhe që Policia e Kosovës vepron në veri”, thotë Ibishi.

Qytetarët e atij rajoni por edhe pjesëtarët e Policisë, sipas Ibishit do të drejtohen në zyrën e IPK-së, për rastet e caktuara kur e hetojnë që ka shkelje brenda strukturës së Policisë. Ibishi thotë se kjo do të tregoj se edhe mbikëqyrja do të realizoj qëllimin e vet se tërë institucioni policor funksionon nën zinxhirin unik komandues në tërë territorin e Kosovës./Zeri.info

– See more at: http://gazetafjala.com/ipk-ja-kete-vit-pritet-ta-hap-zyren-ne-mitrovicen-e-veriut/#sthash.9Z9UKWiR.dpuf

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ipk-ja-kete-vit-pritet-ta-hap-zyren-ne-mitrovicen-e-veriut-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala