Investitorët e interesuar për miniera dhe energji në Kosovë

Investitorë nga Australia, SHBA e Kina janë interesuar për investime në fushën e minierave dhe energjetikës në Kosovë.
Në një njoftim të Ministrisë së Diasporës, thuhet se në kuadër të aktiviteteve të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në botë, udhëheqësi i departamentit për investimet e diasporës, Naim Dedushaj dhe nënkryetari i rrjetit të bizneseve shqiptare në botë, Elmi Berisha kanë sjellë për herë të parë në Kosovë duke realizuar edhe takime të frytshme, përfaqësues dhe pronarë të kompanive të fuqishme ndërkombëtare me bazë në ShBA, Australi dhe Kinë. Përkatësisht me përfaqësues të kompanive “CITIC HEAVY INDUSTRIES Co, Ltd” dhe “American Irish Investment Group”.
“Që të dy këto kompani të specializuara në fushën e minierave dhe energjetikës kanë ardhur në Kosovë me ndërmjetësimin e z. Elmi Berisha nga Rrjeti i Bizneseve të Diasporës në ShBA, për të ngritur kapacitetet në fushat përkatëse, e tëra në kontribut të zhvillimit më të qëndrueshëm ekonomik të vendit”, thuhet në njoftim
Këto kompani kanë shprehur interesimin e tyre për investime milionëshe në këto dy fusha dhe në ditët në vijim, ky delegacion do të takohet me të gjithë ministrat përkatës të Qeverisë së së Kosovës ashtu që të dakordohet agjenda për fillimin e investimeve.