Investimi i Serbisë në strukturat e veta në Kosovë – mbi 8 miliardë euro

Autori:Avdyl Pajaziti

Murselj Huseini, ish-kryetar i Komunës paralele të Gorës, për vite të tëra kishte ushtruar detyra zyrtare në kuadër të pushtetit lokal serb, i cili që prej pasluftës sfidon vazhdimisht autoritetin e institucioneve të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Ai nga viti 2008 deri në vitin 2011 ka qenë nënkryetar i Komunës së Gorës, derisa nga prilli i 2011-s e deri në vitin 2013 ka qenë kryetar, duke drejtuar ekzekutivin lokal “në të zezën”. Madje, gjatë këtij viti në një bisedë për “Kohën Ditore” ka pranuar se ka vepruar kundërligjshëm, duke miratuar financimin nga Beogradi, por se besimi që po i shërbente komunitetit goran e kishte shtyrë që asokohe të vazhdonte veprimtarinë.

“A kam qenë i vetëdijshëm se po veproj kundër rendit kushtetues e ligjor të Kosovës? Në njëfarë forme them se kam qenë, por njëfarë besimi më ka shtyrë që të vazhdoj derisa i njëjti filloi të zbehej nga dita në ditë, pasi e kam parë situatën se Kosova është shtet… Kam qenë i bindur se po veproja në interes të komunitetit goran. Dëshira ishte që të kemi një komunë të ndarë të Gorës, por kjo nuk u realizua si duhet”, ka thënë ai më herët gjatë këtij viti. Huseini qe shkarkuar nga posti i kryetarit të Komunës së Gorës në vitin 2013.

Në bazë të informatave të grumbulluara nga shoqëria civile në Beograd, del se Qeveria e Serbisë ndan mjete të konsiderueshme për të mbajtur gjallë praninë e saj në Kosovë. Në platformën online, të krijuar nga Qendra për Politikë Praktike, që quhet “Sa kushton Kosova?”, shkruan se nga qershori i vitit 1999 e deri më sot, Qeveria e Serbisë, në bazë të vlerësimeve zyrtare, në Kosovë shpenzon gjysmë miliardi euro në vit. “Shuma e përgjithshme e vlerësuar (e harxhimeve në Kosovë), në euro, deri në këtë moment është 8.23 miliardë”, shkruan në këtë platformë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/investimi-i-serbise-ne-strukturat-e-veta-ne-kosove-mbi-8-miliarde-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala