Interneti në kolaps brenda 8 vitesh

Brenda 8 vitesh interneti mund të përfundojë në kolaps. Alarmi është dhënë nga inxhinierët fizikë dhe ndërmarrjet e telekomunikacionit, të cilët janë mbledhur në Royal Socilety në Londër.
Rrjeti mund të kalojë kapacitetin e tij dhe mund të mos arrijë të përmbushë kërkesat tona për të dhëna më të shpejta. Ekspertët shprehen se ato që po ndikojnë negativisht në shpejtësinë e internetit janë shërbimet e televizionit online, të cilat ndikojnë së tepërmi në strukturën e telekomunikacionit dhe të rrjetit. Duke nisur nga viti 2005, shkencëtarët kanë vënë re një rritje të kërkesës nga ana e klientëve, për shpejtësinë e internetit deri në 50 herë.
Kjo ka sjellë dhe do të sjellë rrjedhimisht rritjen e çmimit të faturave që çdo klient, përdorues i internetit do tët duhet të paguajë. Sipas ekspertëve, shkenca po arrin limitin e saj dhe fibrat optike nuk mund të mbajnë më të dhëna. Andrew Elliss, docent në Aston University në Birmingham, ka thënë:
“Kemi nisur të punojmë nëpër laboratorë në mënyrë që të mund të vendosim të dhënat e fundit në një fibër të vetme optike”. Profesori shpjegon se në realitet “kemi hapësira për të vendosur të dhënat dhe për 8 vitet e ardhshme. Kështu, pas 8 vitesh nuk do të mund të fusim të dhëna të tjera”.