Integrohen 130 persona në tregun e punës

Autori:Gazeta Fjala

Së paku 130 persona do të aftësohen dhe integrohen në tregun e punës, sipas një marrëveshje të arritur të enjten mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe UNDP-së.

Më këtë synohet që të krijohen vende të reja të punës, duke ndihmuar bizneset përmes subvencionimit t’i paguajnë këta 130 punëtorë, të cilëve do t’iu paguhet paga për 50 % për 12 muaj.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, transmeton KL, tha se kjo marrëveshje përkrah synimet e ministrisë së tij për aftësimin, riaftësimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Ky projekt synon që në një periudhë 12 mujore të fillojmë me aftësimin profesional e pastaj edhe me subvencionimin e pagave, si një praktikë që ka funksionuar shumë mirë gjatë vitit 2015 me të cilën synojmë që të trajnojmë dhe integrojmë, punëkërkuesit për tregun e punës”, tha Abrashi.

Sipas tij, projekti është i hapur për të gjithë dhe përparësi i është thënë sektorëve që gjenerojnë vende të reja të punës, siç janë përpunimi i drurit, përpunimi i metalit, teknologjia informative, paketimi i produkteve e sektorë të tjerë.

Ai tha se ky do të jetë një pilot projekt dhe se në të ardhmen synojnë që të kenë projekte edhe më të mëdha se ky.

Por, sipas tij, kjo është një mundësi e mirë për këta 130 punëtorë, të cilët kanë rastin ta dëshmojnë vetën dhe të punësohen aty.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha se të gjithë e dinë nivelin e papunësisë në Kosovë dhe se ky fenomen është shqetësimi i parë për qytetarët.

“Për ne, në Ambasadën britanike, zhvillimi ekonomik është një prioritet, sepse është në interes jo vetëm i Kosovës, por edhe i Britanisë nëse do të ketë paqe në gjithë Evropën. Jemi të vetëdijshëm që Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe qeveria është përgjegjëse për zhvillimet këtu”, tha ai.

Edhe përfaqësuesi i UNDP-se në Kosove, Andrew Russell, tha se për një dekadë të punës kanë krijuar rreth 40 mijë vende pune, por që sipas tij, nuk janë të mjaftueshëm.

“Në vitin e fundit jemi mundur për të krijuar vende të punës dhe shpresojmë se do të rrite. Kemi pasur partner të ndryshëm gjatë këtyre viteve”, tha Russell.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/integrohen-130-persona-ne-tregun-e-punes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala