Institucionet të mbyllura ndaj mediave

Autori:Avdyl Pajaziti

Në funksion të transparencës së punës të institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike me qytetarët rëndësi të madhe ka raporti me mediat, i cili lë shumë për të dëshiruar ndonëse Kosova ka një ligj që i jep favore medias, por edhe ai, sikundër shumë ligje të tjera, nuk zbatohet si duhet nga ata që janë më përgjegjësit për ta zbatuar.

Nuk janë të pakta rastet kur është dëshmuar se disa nga institucionet e shkelin atë ligj, duke u mbyllur për mediat, e si pasojë e kësaj mbyllje, jo rrallë, në media paraqiten shkrime me gjysmë të dhëna, ose edhe me të dhëna të gabuara, gjë që sjell dëm të madh në opinionin publik.

Përderisa zyrtarët e institucioneve thonë se janë gjithnjë bashkëpunues me mediat, të njëjtën gjë nuk e thonë edhe gazetarët dhe përfaqësuesit e tyre. Edhe analistë e sociologë rreshtohen në anën e gazetarëve, duke vlerësuar se burimet e informimit janë të mbyllura karshi mediave.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Zekirja Shabani, ka thënë për KosovaLive se institucionet e Kosovës vazhdojnë të tregohen jo transparente në raport me gazetarët dhe se mbyllja e përfaqësuesve politik karshi medieve dhe qytetarëve nuk i ndihmon aspak lirisë së medias dhe shprehjes së lirë në vend.

“Janë të shumta rastet kur zyrtarët për informim shkelin Ligjin për qasje në dokumente publike dhe nuk respektojnë të drejtën e secilit qytetarë për të ditur se çfarë për shembull bëjnë me paratë e taksapaguesve të zgjedhurit e popullit apo çfarë vendimesh marrin ata brenda zyrave të fortifikuara. Kjo praktikë duhet të ndryshohet urgjentisht dhe i inkurajoj kolegët gazetarë që t’i mbajnë përgjegjës përgjegjësit për obligimet që kanë ndaj opinionit”, ka theksuar ai.
Sipas Shabanit, transparenca dhe media e lirë janë shtylla të demokracisë së një vendi dhe ky fakt nuk duhet të mbetet vetëm si pohim, apo konstatim i vënë në letër, por duhet të jetë i zbatueshëm në praktikë.

Zëdhënëse e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, duke vlerësuar lartë profesionalizmin e gazetarëve dhe medieve në Kosovë, ka thënë se ajo si zëdhënëse mundohet maksimalisht që të ketë një shkallë të lartë të komunikimit profesional dhe përmbushjes së kërkesave që gazetarët kanë ndaj saj.

“Për mua personalisht mediat dhe gazetarët janë ata që i shtojnë vlerën profesionit dhe eksperiencës sime. Deri më tani të gjitha kërkesat e tyre janë pranuar me një seriozitet nga ana jonë dhe si të tilla i kemi trajtuar në kohën më të shpejtë të mundur. Sipas njohurisë sime, nuk ka ndodhur të na thërrasin përsëri gazetarët për të na përkujtuar se kanë kërkuar diçka nga ne. Në çfarëdo kohe qoftë edhe pas orarit të punës apo fundjavave ne gjithmonë jemi përgjigjur në telefonatat apo e-mailet drejtuar neve”, ka thënë ajo për KosovaLive.
Gara ka theksuar se në bazë të një pyetësori që aeroporti ka përpiluar dhe u ka dërguar gazetarëve, deri më tani është vlerësuar si kompania më bashkëpunuese duke u renditur në pozitën e parë. Sipas saj, gazetarët e kanë vlerësuar aeroportin me 8.3 pikë sa i përket transparencës.

Edhe zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ka vlerësuar se raportet e saj me gazetarët janë të mira, korrekte dhe profesionale, si kur është fjala për mediat elektronike ashtu edhe për ato të shkruarat.

“Komuna e Prishtinës është e përkushtuar për transparencë dhe zyra jonë është në dispozicion për çfarëdo informate dhe teme që mediat shprehin interesim ta trajtojnë. Po ashtu, rregullisht mbajmë konferenca për media dhe për çdo aktivitet publikojmë komunikata për shtyp në mënyrë që mediat të kenë informata konkrete për raportim, si dhe përgjigjemi në çdo kërkesë të gazetarëve dhe aranzhojmë intervista për kërkesa të gazetarëve”, ka thënë ajo për KosovaLive.
Mirëpo mendim tjetër për raportin institucione-gazetar ka gazetarja në portalin Indeksonline, Jehona Hulaj, e cila vlerëson se ky raport nuk është në nivelin e duhur. Sipas saj, gazetarët shumë shpesh përballen me vonesa të marrjes së informacionit për temën që janë duke trajtuar, e që ndikon shumë në punën e tyre.

“Personalisht shumë herë kam pasur probleme të tilla me Zyrën për informim në Komunën e Prishtinës, ndërkaq për dallim nga Komuna e Prishtinës, institucionet tjera mundohen të jenë më korrekte dhe më të sakta. Institucionet duhet njëherë e përgjithmonë ta kuptojnë rëndësinë e raportit me mediat. Gazetarët janë ata që kanë nevojë për ta dhe anasjelltas. Shpresojë se në një të ardhme të afërt puna e gazetarit do të respektohet më shumë në vendin tonë”, ka deklaruar ajo.

Milazim Krasniqi, profesor në Degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, vlerëson se Ligji për qasje në dokumente zyrtare edhe pse është i miratuar nuk zbatohet në mënyrë adekuate në Kosovë.

Sipas tij, ndodh kështu për shkak të mostransparencës së institucioneve, vendimmarrjes problematike dhe mungesës së njohurisë së bartësve të funksioneve për rëndësinë që ka komunikimi me publikun.

Krasniqi vlerëson se si rrjedhojë e mungesës së qasjes në dokument zyrtare, puna e gazetarëve dhe mediave vështirësohet dhe pastaj gazetarët detyrohen të gjejnë burime alternative apo terciare, të cilat shumë herë janë të paverifikueshme, andaj edhe mund të prodhojnë gazetari senszacionaliste dhe jo profesionale.

“Një nga shkaqet e gazetarisë joetike është pikërisht mbyllja ndaj mjeteve të informimit, e që është një e keqe e madhe që po vazhdon, sepse nuk ka presion të opinionit publik mbi institucionet që të hapen për publikun. Institucionet dëshirojnë që të kenë vetëm promocion dhe nuk duan të jenë korrekte me burime për anën problematike apo anën e errët, ndërsa media do pikërisht anën problematike të vendimeve. Kjo është kontradiktë ndërmjet zëdhënësve dhe medias apo institucioneve dhe gazetarëve”, ka potencuar Krasniqi.
Ai ka thënë se institucionet shumë herë sillen në mënyrë arrogante me gazetarët duke qenë të dhunshëm edhe verbalisht apo edhe duke ua mbyllur dyert, pasi që shumë herë kanë diçka për të fshehur.

“Pikërisht përpjekja e gazetarëve për të zbuluar atë që është e fshehur dhe përpjekja e institucioneve për të fshehur atë që duan gazetarët paraqet konfliktin mbi të cilin zhvillohet kjo luftë. Sa më këmbëngulës që janë gazetarët, sa më insistuese të jenë mediat, aq më shumë mund të fitohet hapësirë për t’i detyruar të hapen ndaj medieve”, ka thënë tutje ai.
Sociologu Artan Muhaxhiri ka thënë për KosovaLive se e keqja më e madhe është se mënyra e funksionimit të zëdhënësve dhe zyrave për informim varet kryekëput prej dëshirave të personave që punojnë aty, nëse duan apo jo të jenë bashkëpunues me mediat.

“Ka raste kur mediat janë më të avancuara dhe bëjnë hulumtime që janë më profesionale si dhe ka institucionet që janë shumë të hapura dhe krejtësisht të mbyllura. Fatkeqësisht, në Kosovë nuk ka një mbikëqyrje më rigoroze nga ana e institucioneve sa i përket zëdhënësve dhe zyrave për informim dhe shpesh ndodh që institucionet e caktuara si Kryeministria, apo ministritë edhe pse paguhen nga taksat e qytetarëve dhe janë publike, nuk i respektojnë qytetarët duke mos i informuar. Duke ua ndaluar medieve informatat, ata në fakt nuk japin llogari për qytetarët, votuesit apo taksapaguesit”, ka përfunduar ai. /KosovaLive/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/institucionet-te-mbyllura-ndaj-mediave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala