Institucionet po frikësojnë denoncuesit e korrupsionit

Autori:Gazeta Fjala

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë iu kanë bërë thirrje mekanizmave të drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës që të inkurajojnë qytetarët që të denoncojnë rastet e korrupsionit, dhe jo të frikësojnë ata qytetarë që denoncojnë raste të tilla.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i ka dalë në mbështetje, një qytetari i cili kishte denoncuar korrupsionin, por i cili pastaj është gjobitur.

Ismet Kryeziu nga KDI ka theksuar se me veprimet që organet e drejtësisë po iu bëjnë qytetarëve, të cilët po denoncojnë rastet e korrupsionit por frikësojnë këta të fundit.

“U bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të mos ngushtojnë hapësirën, mos të frikësojnë sinjalizuesit e rasteve të korrupsionit, por të ngushtojnë rastet e veprimeve korruptive që tani e 16 vjet janë duke ardhur në pah nga institucionet e Kosovës”, është shprehur Kryeziu, transmeton rel.

Ish- punëtori i ProCredit Bank, Abdullah Thaçi, është gjobitur me 5 mijë euro nga Gjykata Themelore në Prizren. Ai ishte akuzuar se më 31 korrik të vitit 2012, derisa ishte në orar të punës, në cilësi të personit zyrtar dhe pa pasur autorizim, u qaset llogarive bankare të klientëve të kësaj banke dhe zbulon se janë keqpërdorur mjetet e buxhetit të Kosovës.

Zbulimi i këtyre llogarive kishte ndikuar që Prokuroria në Prizren të ngrejë aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të dyshuar për keqpërdorim.

Ismet Kryeziu ka bërë të ditur se si shoqëri civile janë duke ndihmuar Abdullah Thaçin në mbledhjen e shumës prej 5 mijë eurosh që do të paguajë si gjobë për veprën e tij.

“Banka Pro Credit ku ka punuar Abdullah Thaçi, e ka larguar nga puna tash e tre vjet dhe tani është i dënuar me një vlerë prej 5 mijë euro. Ne jemi përfshirë në këtë fushatë për të ndihmuar koston financiare që e ka shqiptuar gjykata”, ka bërë të ditur Kryeziu.

Kryeziu ka inkurajuar qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë t’i denoncojnë publikisht praktikat korruptive për të fuqizuar, siç shprehet ai, institucionet me integritet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/institucionet-po-frikesojne-denoncuesit-e-korrupsionit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala