Institucionet e Serbisë fshehin faktet për krimet e tmerrshme të luftës

Autori:Avdyl Pajaziti

Ambasadori zviceran në Beograd, Jean Daniel Ruch, i cili katër vjet punoi në Prokurorinë e Tribunalit të Hagës, deklaroi sot se në Serbi ekziston bindja se në emër të kombit serb janë kryer krime të tmerrshme, porse kjo e vërtetë fshihet në institucionet e fuqishme, qëllimi i të cilave është që faktet të mos zbulohen.

Informatat për mijëra persona të zhdukur gjenden në arkiva të institucioneve shtetërore, të cilat i fshehin ato, ka deklaruar Ruch në fillim të Shkollës Rajonale të Drejtësisë Transitore të Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, transmeton Koha.net raportimin e agjencisë FoNet.

Kjo tregon se n njerëzit në pushtet kanë frikë nga zbardhja e informatave, meqë kanë qenë të përfshirë në krime, ka shtuar Ruch.

Ai ka konstatuar se në këtë mënyrë ndërlikohet procesi i pajtimit rajonal, mbetet mosbesimi, vështirësohet asociimi në Bashkimin Europian dhe u jepet mbështetje forcave nacionaliste.

Ruch vlerëson se Tribunali i Hagës ka bërë atë që asnjë gjykatë kombëtare nuk ka mundur ta bëjë, ka përcaktuar përgjegjësinë për krime lufte të përfaqësuesve më të shquar të pushtetit.

Janë dënuar rreth 80 veta, po gjykohen edhe 14, por e gjithë kjo është vetëm një pikë në oqeanin e krimeve të luftës, ka thënë Ruch.

Siç është shprehur ai, Tribunali i Hakës ka ndërprerë politikën e mosndëshkimit të politikanëve në pushtet dhe se është detyrë e gjykatave vendore të dënojnë krimet në nivele më të ulëta.

Kjo është një detyrë e madhe, e cila asnjëherë nuk do të përmbushet në tërësi, ka thënë Ruch.

Sipas fjalëve të tij, krimet e rënda, siç janë ato të kryera gjatë aksionit ushtarak kroat “Oluja” (Shtrëngata) dhe ndaj joshqiptarëve në Kosovë, nuk kanë marrë përgjigje të kënaqshme gjyqësore.

Zëvendësi i drejtorit të FDH-së, Marjana Toma, tha se Shkolla Rajonale tetëditore e të Drejtës Transitore mbledh njerëz të rinj nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Serbia e Kosova.

Programi është bazuar në të dhënat mbi krimet e luftës. Njëri nga qëllimet e shkollës është ndryshimi i teksteve të helmuara të historisë, ka thënë Marjana Toma.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/institucionet-e-serbise-fshehin-faktet-per-krimet-e-tmerrshme-te-luftes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala