Inspektorati i Punës fakton abuzimet me punësimet në Trepçë (Dokument)

Autori:Avdyl Pajaziti

Abuzimet në ndërmarrjen “Trepça” nuk kanë të ndalur, gjë e cila edhe po nxit pakënaqësi tek punëtorët të cilët po paralajmërojnë protesta për shkak të kushteve jo të mira të punës.

Ahmet Tmava, menaxher i Trepçës ka thënë se në këtë ndërmarrje nuk ka pasur punësime konkurs. “Nuk qëndron, nuk e kam punësuar asnjë njeri (v.j. pa konkurs). Kemi bërë një punësim të punëtorëve që kanë vdekur në vendin e punës . Për punëtorët që kanë vdekur pas vitit 2010 me anë të konkursit janë punësuar fëmijët e tyre”, ka thënë Tmava në Interaktiv.
1
Mirëpo, raporti zyrtar i Inspektoratit të Punës të datës 19 dhjetor 2014, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, e ka thënë të kundërtën, duke faktuar punësime pa konkurs në “Trepçë”.

“Misin Jashari (vëlla i Qazim Jasharit, drejtorit të Minierës dhe Flotacionit në Stan Tërg), Zijadin Mustafa, Shefki Fejza, Ahmet Rrahmani, Granit Quqalla, Naim Smajli, Artan Feka, Mehmet Aliu, Kastrit Syla, Admir Ramadani, Driton Sadiku dhe Mevlude Fetahaj (familjare e Bislim Fetahajt, drejtorit të Minierës në Artanë dhe Flotacoinit në Kishnicë), janë punësuar pa zbatimin e procedurës së shpalljes, gjë që sipas Inspektoratit të Punës para shkelje të dispozitës së nenit 4 të rregullores mbi Marrëdhëniet e Punës”, thuhet në faqen 11 të raportit të Inspektoratit të Punës.
2
Abuzimet me punësime nuk ndalen me kaq, pasi që Inspektorati i Punës, konstaton se zëvendësmenaxheri Ibush Januzi, Qazim Jashari (ngritje në detyrë, pasi që ka punuar në menaxhment dhe ngritur në pozitën e drejtorit të Minierës dhe Flotacionit në Stan Tërg) dhe Bislim Fetahaj (ka qenë drejtor i Flotacionit në Kishnicë, ndërsa është caktuar në pozitë më të lartë si drejtor i Minierës në Artanë dhe Flotacoinit në Kishnicë), janë caktuar në vende pune pa zbatimin e procedurës së konkursit, gjë që paraqet shkelje të dispozitës së nenit 5 të rregullores mbi marrëdhëniet e punës.
3
Siç, shihet në dokumentin të cilin Veriu.info dje zyrtarisht e ka marrë nga Inspektorati i Punës, është urdhëruar“Trepça” që të shfuqizoj të gjitha aktet lidhur me punësimin e Misin Jasharit, Zijadin Mustafës, Shefki Fejzës, Ahmet Rrahmanit, Granit Quqallës, Naim Smajlit, Artan Fekës, Mehmet Aliut, Kastriot Sylës, Admir Ramadanit, Driton Sadikut dhe Mevlude Fetahajt. Pra, Inspektorati i Punës ka kërkuar largimin e tyre nga puna, pasi që janë punësuar në mënyrë jo të rregullt, gjë e cila ende nuk ka ndodhur.

Po ashtu, Inspektorati i Punës kërkon shfuqizimin e të gjitha akteve lidhur me punësimin e zëvendësmenaxherit, Ibush Januzi, Bislim Fetahajt dhe Qazim Jasharit.
4
Në fund të këtij raporti thuhet se Punëdhënësi (v.j.Trepça) është e obliguar që pas kalimit të 15 ditëve të informoj Inspektoratin e Punës me shkrim dhe të dëshmoj me prova eliminimin e këtyre parregullsive.

“Trepçës” me 19 shkurt 2015 i është aprovuar kërkesa nga Inspektoratin që t’i zgjatet afati i përmbushjes së detyrimeve deri më 15 prill, mirëpo, siç shihet edhe në dokumente, me 22 prill 2015 Inspektorati i Punës përpilon një raport tjetër zyrtar, ku konstaton se “Trepça” nuk i ka eliminuar parregullsitë (shih pika III dhe IV në dokumentin e fundit). /Veriu.info/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/inspektorati-i-punes-fakton-abuzimet-me-punesimet-ne-trepce-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala