Incidenti në Maqedoni, gishti drejtohet nga pushteti

Autori:Avdyl Pajaziti

Incidenti në Maqedoni, gishti drejtohet nga pushteti Lidhur me incidentin e një grupi të armatosur në postën e policisë në fshatin Goshincë të Likovës kanë pasuar edhe reagimet e para. Përgjegjësia mbi këto incidente i drejtohet pushtetit në Maqedoni dhe se kjo siç thuhet ndodhë për të defokusuar vëmendjen e opinionit ndaj ngjarjeve aktuale të krizës politike dhe përgjimeve në Maqedoni.

Ish-komandanti i UÇK-së nga zona e Likovës, Abedin Zymberi thekson se ngjarja në Gushincë ishte një lojë amatorësh dhe jo profesionale që nuk meriton vëmenjde të madh. “Megjithatë duhet të kemi kujdes nga grackat e Nikolla Gruevskit i cili ka marrë teposhtën. Këto gjëra bëhen nga kryeministri Nikolla Gruevski i cili dëshiron të luaj kartën nacionaliste për tu thënë maqedonasve se jemi të kërcënuar nga shqiptarët dhe të bashkohen.

Nikolla Gruevskin nuk ka gjë që mund ta shpëtojë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos biem në grackat e regjimit të tij”, deklaroi Abedin Zymberi. Sipas tij, qytetarët e këtij rajoni nuk janë pjesë e këtyre skenareve dhe se ata janë të preokupuar me problemet e tyre jetësore dhe ekzistenciale. Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe ish-kryetari i DR-së, Imer Selmani duke theksuar se nuk ka asnjë bazë për konflikt etnik apo çfarë do lloji qoftë në Maqedoni. “Informacionet për incidentin në veri të Maqedonisë nuk korrespondojnë me ngjarjet në shoqëri. Kështu ka deklaruar për agjencinë BGNES, Imer Selmani.

Sipas tij, këto punë mund të jenë në interes të qarqeve të caktuara. “Por tani jemi në vitin 2015 dhe nuk ka mundësi të kthehemi prapa. Gjithçka duhet të zgjidhet me debat dhe dialog dhe integrim. Në fund të fundit edhe problemet e 2001-shit u zgjodhën me dialog” ka thënë Selmani. Ish-komandanti i forcave maqedonase të sigurisë dhe kryetari i partisë Dinjiteti, Stojançe Angellov kohë më parë ka paralajmëruar incidente të kësaj natyre. Ai në një fjalim para servisit publik RTVM qysh më 4 prill kishte deklaruar se Qeveria ka paguar 2 milionë euro për të provokuar konfliktin ndëretnik, kurse për atë qeveria ka akuzuar atë dhe liderin e LSDM-së Zoran Zaev. “Dikush në vendin tonë ka bërë një plan monstruoz për konflikt ndëretnik dhe kemi informacion se u janë dhënë 2 milion euro shqiptarëve të cilët nuk kanë lidhje me UÇK-në, siç thot ai disa kriminelëve nga rajoni i Likovës. Detyra e tyre ishte të paraqiten si UÇK dhe të bëjnë vrasjen e disa pjesëtarëve të policisë apo të ushtrisë dhe të shkaktojnë konfliktit ndëretnik. Prandaj duket se deklarata monstruoze e nënshkruar nga Netpres që Angelov dhe Zoran Zaev përgatisin skenar të përgjakshëm.

Dikush tjetër ka përgatitur një skenar të tillë, për ate dola me këtë deklaratë, ditët ardhshme mundet të ketë përshkallëzimit të situatës, por këtë gjë nuk e lejojmë”, ka deklaruar Angelov. Eksperti për çështje të sigurisë, Ivan Babanovski ka deklaruar se shqiptarët e Maqedonisë në asnjë mënyrë nuk duhet përfshihen në lojën e fundit të çoroditur, e cila ka për qëllim që të shpëtojë “kriminelët e pushtetshëm”.

“Thuhet se kinse janë angazhuar 40 veteran të UCK-së nga Kosova në mesin e tyre edhe nga fshati Tanushë. Këtë skenar nuk e mbështesin pjesa më e madhe nga radhët e BDI-së. Përcillni këto ngjarje dhe më gjeni vetëm një njeri në Maqedoni që do të besojë në këtë punë dhe lojëra qesharake. Por edhe me siguri do të marrim edhe xhirime tjera nga komploti i komunikimit ndaj Republikës së Maqedonisë”, shkruan në profilin e tij në Facebook. (INA)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/incidenti-ne-maqedoni-gishti-drejtohet-nga-pushteti/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala