Incidente në prag të zgjedhjeve në Shqiperi

Autori:Avdyl Pajaziti

​Në prag të zgjedhjeve lokale një sërë incidentesh kanë ndodhur në zona të ndryshme të vendit, ndërsa nuk mungojnë raportimet për blerje votash nga kandidatë të ndryshëm.

Ngjarjet më të rënda deri më tani u regjistruan një natë më parë. Në fshatin Kooperativë Rrilë të Lezhës ka pasur të shtëna me armë në ajër afër makinës së deputetes Monika Kryemadhi, e cila kishte me vete edhe vajzën 17-vjecare.

Kryemadhi shoqërohej nga kandidati i LSI-së për Lezhën, Viktor Tusha. Po mbrëmë është shënuar një tjetër ngjarje në Durrës. Merene Agalliu, sekretare e një qendre votimi dhe bashkëshortja e kryetarit të Seksionit nr 6 të Partisë Demokratike të degës së Durrësit është dhunuar në mënyrë barbare. Partia Demokratike deklaroi se persona të paidentifikuar kanë sulmuar fizikisht aktivisten e Partisë Demokratike duke i thënë: “Tani voto PD-në”.

Sa i përket ngjarjes në Lezhë, Monika Kryemadhi fajëson deputetin e PD-së, Aldo Bumci dhe njerëzit e afërt me të. Policia ka arrestuar Tonin Fizin, si person të dyshuar për ngjarjen. Deputeti i PD-së e ka mohuar përfshirjen e tij në këtë ngjarje dhe ka akuzuar LSI-në për blerje votash.

Paraditen e sotme në Shijak është gjetur një kallëp tritoli pranë shtëpisë së Altin Allës, kryetari i grupseksionit të PD-së në fshatin Sallmone. Kallëpi ishte pa fitil dhe pa kapsollë. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen. Nuk dihen si do të jenë orët në vijim dhe sidomos dita e nesërme e votimit. Raportime të ndryshme mediatike flasin për tensione në disa zona si Laci, Kavaja, Durrësi dhe Vora. Për këto njësi vendore ka pasur debate politike dhe denoncime për shtim të votuesve fiktivë nëpër listat zgjedhore.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/incidente-elektorale-ne-prag-te-zgjedhjeve-ne-shqiperi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala