Identifikohet efekti i panjohur më parë i vitaminës A

Autori:Avdyl Pajaziti

Molekula sinjalizuese, acidi retinoik, është një produkt i vitaminës A, i cili ndihmon për të udhëzuar se si llojet e ndryshme të indeve duhet të formohen në embrionin në rritje.

Për herë të parë, laboratori i prof. Niels-Bjarne Woods, Lund Stem Cell Center në Suedi, i ka studiuar efektet e acidit retinoik në lidhje me atë se si qelizat e gjakut zhvillohen nga qelizat embrionale të njeriut. Në modelin laboratorik, qelizat burimore u janë ekspozuar molekulave të veçanta sinjalizuese, duke u zhvilluar në këtë mënyrë në qeliza gjakprodhuese.

Hulumtuesit vërejtën se nivelet e rritura të acidit retinoik në mënyrë drastike e reduktuan numrin e qelizave të gjakut të cilat mund të prodhohen. Reduktimi në acidin retinoik e rriti kështu prodhimin e qelizave të gjakut me 300 për qind. Në bazë të këtyre rezultateve, Niels-Bjarne Woods dhe kolegët e tij e propozuan një model të ri shpjegues se si ndikon acidi retinoik në zhvillimin embrional të gjakut.

Edhe në qoftë se vitamina A është e nevojshme për një shtatzëni normale, është ditur prej kohësh se sasia e tepërt e vitaminës A mund të jetë e dëmshme për fetusin, me rrezikun e keqformimit fetal dhe abortimit. Shtatzënat prandaj udhëzohen ta kufizojnë konsumin e ushqimeve që kanë sasi të lartë të vitaminës A në formën e retinoideve, si mëlçia.

“Rezultatet tona tregojnë se vitamina A në doza të larta e ka një efekt negativ në zhvillimin e gjakut. Kjo sugjeron se ekziston një arsye shtesë që gratë shtatzëna ta shmangin marrjen e tepruar të vitaminës A gjatë shtatzënisë”, thotë Niels-Bjarne Woods.

Derisa koncepti që acidi retinoik ndikon në zhvillimin e qelizave të gjakut është demonstruar në modelet e kafshëve, kjo është hera e parë që eksperimentet janë kryer duke i përdorur qelizat e njeriut.

Hulumtimi i Niels-Bjarne Woods ka të bëjë me gjetjen e mënyrave për të gjeneruar artificialisht qeliza burimore të gjakut për përdorim në transplantet e qelizave burimore të gjakut për pacientët me çrregullime të gjakut dhe me kancer, të cilët nuk kanë qasje në ndonjë donator të përshtatshëm, transmeton Koha.net.

“Gjetjet e tanishme të hulumtimit e avancojnë të kuptuarit tonë të kompleksitetit të procesit të formimit të gjakut gjatë zhvillimit embrional. Ne shpresojmë se kjo, së bashku me zbulimet e reja në të ardhmen, do të çojë në gjenerimin e qelizave burimore të gjakut në laborator, të cilat nga ana tjetër mund të përdoren për trajtimin e çrregullimeve të gjakut dhe malinjiteteve,” thotë Niels-Bjarne Woods

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/identifikohet-efekti-i-panjohur-me-pare-i-vitamines-a/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala