I papranueshëm çfarëdo pazari me Listën ‘Srpska’ për Ushtrinë e Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e kaluar e Kosovës në krye me Hashim Thaçin, më 4 mars të vitit 2014, ka marrë vendim që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës dhe rrjedhimisht të ndryshojë misionin, detyrat, strukturën dhe madhësinë e saj.

Por, kjo çështje thuaja ka mbetur në atë pikë, pasi pos disa deklaratave për konsum të brendshëm politik, siç i pat cilësuar njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Naim Maloku, nuk mund të thuhet se ka pasur ndonjë lëvizje konkrete.

Vitin e kaluar, më 17 shkurt, derisa festohej pavarësia, Hashim Thaçi, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës kishte thënë se ishte hera e fundit që Kosova festonte pa ushtrinë e saj, premtim ky që jo vetëm që nuk u realizua, por përvjetori i radhës i pavarësisë së Kosovës, sivjet u shënua edhe pa parakalim të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kam përvojë me procese të tilla, që nga themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj me vitin 1999 me transformimin e UÇK-së në Trupën Mbrojtëse të Kosovës dhe në vitin 2008 me shpërbërjen e TMK-së dhe formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Por, ajo çka unë dëshiroj të konfirmoj edhe sot, për herë të parë para qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë njerëzve që na ndjekin, është se FSK është duke kaluar ditët dhe javët e fundit si e tillë, pasi në vijim do të quhen Forcat e Armatosura të Kosovës, siç ndodh për çdo vend sovran”, kishte deklaruar Hashim Thaçi, atëbotë kryeministër i Kosovës.

Qeveria e Kosovës pas vendimit të 4 marsit 2014 nuk e ka hartuar ligjin që do të mundësonte transformimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) me arsyetimin se paraprakisht duhet bërë ndryshime kushtetuese, për të cilat pa ndonjë bazë ngrisin dyshimin se nuk do të votohen nga Lista ‘‘Srpska’’. Një pjesë e opinionit kosovar dhe vetë opozita mendon se gjithë këtë bujë rreth FAK-ut elita jonë shtetërore e politike e bënë për t’i kamufluar koncesionet që do t’i bëjë Listës ‘Srpska’, kinse në kompensim të votës për ndonjë çështje madhore, siç është rasti i FAK-ut. Mirëpo, ky pazar me Listën ‘Srpska’ për ushtrinë konsiderohet i papranueshëm.

Se për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës (FAK) paraprakisht duhet bërë ndryshime kushtetuese, ka thënë disa herë edhe ish-kryeministri Hashim Thaçi, i cili në mandatin e tij, në prag të fushatës zgjedhore e pat miratuar vendimin për themelimin e kësaj force. Këtë tani po e thotë edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli.

Njohësit e çështjeve juridike dhe politike në vend i shohin dy mundësi për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovë, përmes ndryshimeve kushtetuese apo edhe përmes ndryshimit të Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ata thonë se Kosova nuk duhet të pranojë kushte nga Lista ‘Srpska’, e sidomos jo për Asociacionin e komunave serbe, kur mund të veprojnë me mundësinë e dytë për ta bërë një gjë të tillë.

Njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka, ka thënë për KosovaLive se në parim do të duhet të ketë disa modifikime kushtetuese për çka kërkohen 2/3 e votave në mënyrë që të krijohet baza kushtetuese për ligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës. Por Smaka e pranon se ekziston edhe një mundësi elegante, por këtë mund ta bëjnë jurispudentët e rryer, ndërsa shton se Lista ‘Srpska’ do të shfrytëzojë mënyrën që t’i plotësojë kërkesat e saj, por sipas tij, një gjë të tillë nuk duhet ta pranojnë paritë në pushtet.

“Lista ‘Srpska’ do të shfrytëzojë në mënyrë që t’i plotësojë kërkesat e tyre, sidomos kur është në pyetje asociacioni. Tek asociacioni kurrsesi nuk do të duhej të bëhej asnjë koncesion, se Kosova do të centralizohej, ndërsa centralizimi do të thoshte kosovarizimi i Kosovës dhe kjo do të ishte shpartallim i shtetit të Kosovës. Në Kushtetutë e kemi që Kosova është shtet unik, jo i përbërë federativ apo konfederativ dhe koncesionet në këtë drejtim do të shpinin drejt shpartallimit të shtetit. Nuk besoj që ka subjekt politik që do ta bënte këtë koncesion, i cili do të ishte i barabartë me tradhti kombëtare”, ka thënë Smakaj.

Edhe analisti Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se s’ka asnjë dispozitë kushtetuese që e ndalon themelimin e forcave të armatosura, natyrisht kjo gjë mund të bëhet vetëm me ndryshimin e Ligjit aktual për Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe për ndryshimin e tij nuk nevojiten edhe votat e komunitetit serb, të cilat po shihen si pengesë nga lidershipi.

“Arsyetimi që nevojiten ndryshime kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura nuk qëndron dhe një gjë e tillë do të mund të procedohej lehtësisht me anë të ndryshimit të ligjit aktual”, ka thënë Doli.

Ai ka theksuar se problem për Kosovën mbeten kapacitetet teknike dhe investimi financiar në ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Sipas tij, aktualisht Kosova nuk ka kapacitete buxhetore dhe gjerë më tani nuk ka dedikuar ndonjë buxhet të veçantë për armatimin dhe mjetet e tjera që i nevojiten një force normale të armatosur.

Njohësit e çështjeve të sigurisë kanë vlerësuar se lidershipi vendor ka gabuar që transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës nuk e ka bërë në legjislaturën e kaluar. Ky dështim bie mbi institucionet e Kosovës, respektivisht mbi deputetët e legjislaturës së kaluar, të cilët shtynë për kohë të pacaktuar formimin e ushtrisë së Kosovës.

Ushtria e parë e Kosovës, sipas një plani të publikuar vitin e kaluar, parashihte të ketë pesë mijë pjesëtarë aktivë dhe tre mijë rezervë, pra në tërësi 8 mijë pjesëtarë. Kjo forcë do të duhej të jetë ndarë në forcat tokësore dhe ato operacionale.

Ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është thënë se do të bëhet në mënyrë graduale dhe do të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë pritet të përfundoj në vitin 2016. Gjatë kësaj periudhe do të riorganizohet kjo forcë në përputhje me ligjet e reja, me hartimin e doktrinave ushtarake, vendosjen në infrastrukturën e paraparë dhe fillimin e trajnimeve ushtarake.

Faza e dytë do të jetë deri në vitin 2019 me ngritjen e kapaciteteve të komandës, kontrollit, komunikimit dhe pajisjen me armatim, si dhe krijimin e kapaciteteve iniciale operacionale.

Faza e tretë, që përfshin kompletimin e plotë të Forcave të Armatosura të Kosovës, edhe me personel, edhe me pajisje, edhe me trajnime dhe me arritjen e kapaciteteve të plota ushtarake.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka dalë nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, e cila ishte pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Numri i pjesëtareve të FSK-së aktualisht është 2.263 veta, prej të cilëve 478 janë aktivë. Nga përbërja e përgjithshme e këtyre pjesëtarëve 8.91 për qind janë nga komunitetet pakicë, serbë 42 pjesëtarë, ndërsa të tjerët janë turq, boshnjakë, ashkali, romë dhe egjiptianë. /Kosovalive/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/i-papranueshem-cfaredo-pazari-me-listen-srpska-per-ushtrine-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala