I dyshuari i dyfishtë, Enver Hasani

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, do të merret në pyetje muajin tjetër lidhur me dyshimet për korrupsion.

Termini i ri i intervistimit në cilësi të të dyshuarit është caktuar nga Prokuroria, pas dështimit të marrjes në pyetje të hënën si pasojë e një udhëtimi zyrtar të Hasanit në Turqi, shkruan sot Koha Ditore.

Hasani në Prokurorinë Speciale ka dy raste të hapura. I pari për të cilin është ftuar të dëshmojë si i dyshuar ka të bëjë me botimin e disa librave, ndërsa i dyti lidhur me pretendimet e Avokatit të Popullit se kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka falsifikuar në rastin e vendosjes për mandatin e tre gjyqtarëve ndërkombëtarë.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi, ka thënë se i pandehuri me kohë kishte njoftuar se nuk mund të paraqitej të hënën për intervistë.

“Çdo i pandehur ka të drejtë ligjore që të kërkojë shtyrjen e marrjes në pyetje për arsye të ndryshme. Në këtë rast i pandehuri Hasani me kohë e ka njoftuar Prokurorinë se në terminin e caktuar ai nuk mund të paraqitet në Prokurori, për shkak të një udhëtimi zyrtar. Prokuroria ka aprovuar kërkesën e të pandehurit dhe ka caktuar një termin tjetër për dëgjim”, ka thënë ajo.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/i-dyshuari-i-dyfishte-enver-hasani/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala