I dënuari me burg të përjetshëm në Kosovë tregon si e kreu vrasjen

Autori:Avdyl Pajaziti

Dënimi i parë i përjetshëm është shqiptuar dje nga Gjykatën Themelore e Prishtinës -Departamenti për Krime të Rënda. Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen të rëndë nga neni 179 Paragrafi 1.4 dhe 1.6 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dy personat që më sipas vendimit të djeshëm të gjykatës nuk do ta shohin lirinë deri në vdekje, me datën 12.10.2014 kanë kryer vrasjen makabre të Mevludin Ajdinoviqin, 24 vjeç nga Novi Pazari.

Në vrasje ishte e infiltruar edhe e mitura, Festina C. 16 vjeçare e cila po ashtu dje u dënua me 9 vite e 10 muaj burg.

Historia e vrasjes

Për gjithë këtë histori tragjike, se si ka ndodhur vrasja, për çfarë qëllimesh, çfarë lidhje kishte e mitura me boshnjakun dhe me vrasësin, si janë kryer hetimet dhe si u gjetën fajtor personat tashme të dënuar, ka treguar në detaje për portalin INFOKUSI avokati përfaqurës i viktimës, Musa Dragusha.

Ai fillimisht ka treguar se viktima me përkatësi etnike boshnjak, shtetas i Republikës së Serbisë, ishte punëtor i një Call Center me seli në Novi Pazar, ndërsa vinte ne Kosovë, përkatësisht në Pejë, si trajnues për punëtorët e kësaj kompanie me degë në Pejë.

Gjatë kësaj kohe ai ka krijuar marrëdhënie me të miturën Festina C., e cila njëkohësisht ka pasur marrëdhënie me të akuzuarin e parë, Emin Krasniqi dhe me qëllimin e përfitimit pasuror, me supozimin që ai është i pasur, sepse familja e tij jetonte në Gjermani, së bashku me Astrit Mehmetin, takohen në Obiliq dhe planifikojnë vrasjen.

“E mitura e thërret viktimën për takim dhe kur ai vjen, ajo e prezanton të akuzuarin e pare Emin Krasniqi, si shofer taksie dhe e fton viktimën në makinë. Gjatë rrugës e marrin edhe të akuzuarin e dytë, Astrit Mehmetin në makinë. Me dhunë viktimën e dërgojnë në fshatin Zhilivodë të komunës Obiliqit, dhe aty afër një pusi e lidhin dhe me rripin e pantallonave të tij, tentojnë ta mbysin duke e furur por nuk arrin dhe me pas në mënyrë ç’njerëzore ata e godasin me gurë, gjë që sipas mjekëve ligjorë edhe ka qenë shkak i vdekjes”, thotë Dragusha, duke treguar tutje se pasi e kanë kryer këtë krim e kanë zhveshur viktimën, ja kanë marrë të gjitha rrobat dhe çantën e krahut dhe e kanë hedhur në një bunar, puset.

“Te tre së bashku pas krimit shkojnë në një hotel për një natë. Të nesërmen i ndajnë 200 eurot, ku Astriti merr 50 dhe të tjerat i merr Emini”, rrëfen ngjarjen Dragusha duke thënë se ky është versioni të cilin e ka treguar e mitura Festina C..

Ja si u zbulua rasti

Me pas, ai tregon se babai i viktimës pasi nuk ka arritur ta marrë në telefon djalin e tij ka ardhur në Kosovë dhe është paraqitur në polici e ka lajmuar djalin si të zhdukur dhe të vetmin dokument qe e ka dorëzuar në polici ka qenë foto e djalit me të miturën, Festina C.. Nga kjo foto kanë filluar hetimet.

“Policia arrin që ta identifikojë të miturën, e cila fillimisht nuk bashkëpunon me policinë, por përcjellët e bëra nga policia, zbuluan takimin dhe bisedat e 16-të vjeçare me bashkë-kryesit e veprës, gjë që krijoi pistë të mjaftueshme për policinë. E gjendur para provave të pa-kontestueshme Festina C. ka rrëfyer gjithë ngjarjen”, ka treguar Dragusha.

Me pas rastin e ka ndjekur prokurori, Ali Hajdini i cili në fund arriti ta provoj aktakuzën dhe të argumentoj fajësinë e të akuzuarve.

Në këtë mënyrë të akuzuarit kanë marrë dënim të përjetshëm, ndërsa për shkak të kufizimeve ligjore të miturës i është shqiptuar masa e burgimit 9 vite e 6 muaj. Ky është dënimi i parë me burgim të përjetshëm në Kosovë pas miratimit të këtij ligjit. Edhe pse babai i viktimës fillimisht kishte shprehur dyshime të thella në Drejtësinë e Kosovës, atij i është dëshmuar e kundërta dhe ky është një rast i mirë qe drejtësia në Kosovë ka vepruar drejt dhe në fund fajtorët do ta vuajnë dënimin e merituar”, ka thënë avokati Musa Dragusha./INFOKUSI/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/i-denuari-me-burg-te-perjetshem-ne-kosove-tregon-si-e-kreu-vrasjen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala