Hyseni vazhdon loboimin për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, ka vazhduar me një sërë takimesh me përfaqësues të përhershëm të vendeve të akredituara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) me qëllim të sigurimit të mbështetjes sa më të gjerë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Hyseni ka zhvilluar takime me ambasadorin Vladimir K. Safronkov, zëvendëspërfaqësues i përhershëm i Federatës Ruse në OKB, ambasadorin Sebastiano Cardi, përfaqësues i përhershëm i Italisë, ambasadorin Vladimir Drobnjak, përfaqësues i përhershëm i Kroacisë, ambasadorin Yoshifumi Okamura, zëvendëspërfaqësues i përhershëm i Japonisë, ambasadorin Alvaro Mendonca e Moura, përfaqësues i përhershëm i Portugalisë, ambasadorin Ib Petersen, përfaqësues i përhershëm i Danimarkës, Ambasadorin Martin Sajdik, përfaqësuesin e përhershëm të Austrisë, si dhe ambasadorin Francois Delattre, përfaqësuesin e përhershëm të Francës në OKB-së.

Hyseni ka biseduar me përfaqësuesit e përhershëm për nevojën e intensifikimit të rolit të Kosovës në bashkëpunimin policor ndërkombëtar, duke theksuar profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe gatishmërinë e saj për të qenë partner i barabartë në luftimin e krimit të organizuar, sidomos nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve me vendet anëtare të INTERPOL-it.

“Është esenciale që Kosova të ketë qasje direkt në informacionin e INTERPOL-it dhe të ofrojë informacion nga ana e saj rreth çështjeve që bien nën juridiksionin e INTERPOL-it”, tha Hyseni.

Hyseni u ka kërkuar përfaqësuesve të përhershëm që të mbështesin Kosovën në përpjekjet e saja për tu bërë anëtare e plotë e INTERPOL-it, si mekanizëm tejet i rëndësishëm për bashkëpunim policor. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hyseni-vazhdon-loboimin-per-anetaresimin-e-kosoves-ne-interpol/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala