Hyseni në Abu Dhabi kërkon anëtarësimin në Interpol

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, në krye të një delegacioni nga Kosova, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Rijad, Rexhep Boja, po qëndron në Abu Dhabi, me ftesë të zëvendës-kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Saif BinZayed Al Nahyan dhe sekretares për Punë të Brendshme të Britanisë së Madhe, Hon Theresa May, për të marrë pjesë në Samitin ndërkombëtar për mbrojtjen e fëmijëve nga interneti.

Në margjinat e këtij Samiti, ministri Hyseni ka zhvilluar një varg takimesh me ministra të ndryshëm nga rajoni dhe bota, me të cilët ka trajtuar tema të sigurisë së përgjithshme, e në veçanti çështjen e anëtarësimit të Kosovës në organizma të ndryshëm të bashkëpunimit policor ndërkombëtar.

“Nga takimet e zhvilluara sot mund të veçohen ai me zëvendës-kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Emirateve të Bashkuara,Sheikh Saif Bin Zayed Al Nahyan, atë me ministrin e Punëve të Brendshme të Sudanit z. Ibrahim Mahmoud Hamid, atë të Omanit, etj. Në thelb të bisedës, në të gjitha takimet ishte çështja e anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe organizatat tjera ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Hyseni e falënderoi ministrin e Punëve të Brendshme të Sudanit për votën pro Kosovës në UNESCO dhe e ftoi atë që sa më shpejtë të bëjë edhe njohjen formale të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Në këtë Samit që po trajton abuzimin seksual të fëmijëve online, Kosova synon të bëhet pjesë efektive e nismave të ndryshme ndërkombëtare për të luftuar këtë dukuri e cila, në disa vende më shumë e në disa më pak, është e pranishme në gjithë vendet e botës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hyseni-ne-abu-dhabi-kerkon-anetaresimin-ne-interpol/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala