Hyseni, Kosova tashmë ka bërë kërkesën për tu futur në Interpol

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka vizituar komunën e Novobërdës dhe Kamenicës.

Ai gjatë vizitës në këto dy komuna ka thënë se Kosova Kosova ka bërë kërkesë që të futet në Interpol, i cili është një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes të policive që ndihmon në shkëmbimin e përvojave në luftimin e terrorizmit.

Fillimisht, ministri Hyseni takoi kryetarin e komunës së Novobërdës, Svetislav Ivanoviq dhe më pas Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi.
Gjendja e sigurisë në këtë komunë nga të dy bashkëbiseduesit u vlerësua si shumë e mirë, pavarësisht se në këtë komunë jetojnë komunitete të përziera.

Në takim me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi të Novobërdës, ministri Skender Hyseni, kërkoi nga përfaqësuesit e këtij këshilli që të angazhohen edhe më shumë dhe të kenë shtrirje në nivele nga më sociale, siç janë familja, shkolla, në institucione fetare, në mënyrë që mesazhi për parandalim të dhunës të përçohet në vendin e duhur.

“Të gjithë së bashku duhet që t’i dalim në ndihmë qytetarëve tanë që mund të jenë subjekt i manipulimit. Duhet të dalim me mesazh dhe qëndrim të qartë kundër dhunës”, tha ministri Hyseni.

Pas vizitës në Novobërdë, ministri Hyseni vazhdoi për në Kamenicë, ku takoi kryetarin e kësaj komune, Begzad Sinani dhe Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi.

Në këtë takim, kryetari i Kamenicës, Begzad Sinani bëri të ditur se gjendja e sigurisë është e kënaqshme dhe se ka një trend të rënies në veprave kriminale për 32 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Me këtë rast ministri Hyseni theksoi se, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e sigurisë i vlerësojnë si partnere Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi, në mënyrë që gjithsecili të bëj punën e tij, në përpjekjet e përbashkëta për tolerancë dhe për paqe, në mënyrë që qytetarët Republikës së Kosovës të ruajnë pasurinë e tyre të bashkëjetesës ndër fetare dhe ndër etnike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hyseni-kosova-tashme-ka-bere-kerkesen-per-tu-futur-ne-interpol/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala