Hyseni, komandantit të KFOR-it: Vizita e Dikoviqit, e papranueshme

Pas debatit të fundit që u shkaktua pas vizitës së Gjeneralit serb, Dikoviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë, Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni ka takuar komandantin e KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, për të kërkuar sqarime.
Në njoftimin për media thuhet se “derisa vlerësohet lartë kontributi i KFOR-it në Kosovë, për paqe dhe siguri në Kosovë, ministri Hyseni i përcolli komandantit të KFOR-it shqetësimin e thellë rreth vizitës së Gjeneralit Dikoviq, me ftesë të KFOR-it”.
“Vizitat e tilla të ushtarakëve serbë, të akuzuar nga shoqatat e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe ato serbe, për krime lufte në Kosovë, nuk i kontribuojnë rendit dhe sigurisë së përgjithshme. Për më tepër, vizitat e tilla mund të destabilizojnë situatën. Si të tilla, këto vizita janë të papranueshme dhe nuk duhet të ndodhin”, theksoi ministri Hyseni, raporton Arta TV.
Në fund theksohet se Ministri e komandanti i KFOR-it, u dakorduan që komunikimi në mes të KFOR-it dhe MPB-së, në të ardhmen të jetë më efektiv, në mënyrë që vizitat nga ana e individëve apo ushtarakëve nga Serbia, të akuzuar për krime lufte në Kosovë të mos ndodhin.