Hoti: Serbët e votuan MSA-në sepse Asociacioni është brenda saj

Autori:Avdyl Pajaziti

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, ka vlerësuar se nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim Asocimit është rezultat dhe produkt i një pune të vazhdueshme që Kosova dhe populli i saj po e bën drejt integrimeve në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, mirë do të ishte që kjo marrëveshje të nënshkruhet si shtet ashtu siç kanë nënshkruar të gjitha vendet e Evropës Juglindore, megjithatë sipas tij, edhe në këtë mënyrë mund të konsiderohet sukses nënshkrimi i MSA-së.

“Çfarë përfiton Kosova, besoj që është shumë dimensionale, duke filluar nga raportet kontraktuale me BE-në, duke përfituar nga ndihmesat e ndryshme që lidhen kryesisht me sundimin e ligjit, me ekonominë me një mjedisë me të mirë për biznes dhe normalisht që në fund të fundit përfitues është qytetari jonë”, ka thënë Hoti për ORAinfo.

Duke folur rreth mungesës së deputetëve të opozitës në seancë në kohën kur po votohej ratifikimi i MSA-së, Hoti ka thënë se qarjet në mes të pozitës dhe opozitës janë të natyrës politike dhe nuk lidhen me marrëveshjen për Stabilizim Asocim.

“Këto marrëveshje tashmë janë pjesë e marrëveshje se Stabilizim Asocimit që nënkupton obligushmërinë e Kosovës për t’i respektuar ato marrëveshje në të kundërtën do të pasonte pezullimi i MSA-së”, ka thënë Hoti.  Ai ka shtuar se Kosovës i duhet një dialog i brendshëm politik, pasi sipas tij, njëra nga objektivat e kësaj marrëveshje është edhe dialogu politik në mes të palëve. Ai ka përkujtuar rastin e Shqipërisë kur marrëveshja e Stabilizim Asocimi ka zgjatur me vite për shkak të mosmarrëveshjeve në mes të pozitës dhe opozitës.

“Ne nuk duhet të shohim ëndrra duke menduar se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje Kosova është afruar me BE-në. Por ne vetëm po provojmë të jemi pjesë dhe të kemi vlera të përafërta me Bashkimin Evropian”, është shprehur Hoti.

Ai ka folur edhe për pjesëmarrjen në votim të deputetëve serb. Sipas tij, nga kjo marrëveshje përfitimi do të jetë i madh edhe për këtë komunitet.

“Mendoj se serbët po përfitojnë sepse marrëveshjet për Asociacionin, Demarkacionin dhe marrëveshjet e tjera janë në kuadër të MSA-së dhe natyrisht se është pritur që ata të jenë pjesë e votimit”, ka thënë Hoti.

Ai pret që ratifikimi i kësaj marrëveshje t’i hap rrugë edhe procesit të liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash e kanë ratifikuar marrëveshjen për Stabilizim Asocimit me BE-në.

Me 86 vota PËR, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët i kanë thënë ‘ PO’ kësaj marrëveshje. Opozita nuk ka marrë pjesë në votim./ORAinfo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hoti-serbet-e-votuan-msa-ne-sepse-asociacioni-eshte-brenda-saj/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala