Hoti: Nuk ka prishje të koalicionit PDK-LDK

Autori:Avdyl Pajaziti

Në kohën kur po flitet e shkruhet për prishje të koalicionit, si shkak i nervozizmit të disa zyrtarëve brenda PDK-së, ka qenë edhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ai i cili po kërkon prishje të këtij koalicioni dhe zgjedhje të reja.

Ndonëse zyrtarë të PDK-së dhe LDK-së, i kanë deklaruar gazetës Botapress se partnerët e koalicionit do të vazhdojnë të qeverisin me vendin deri në fund të mandatit, lideri i AAK-së, partia e të cilit ka dalë e katërta me vota nga zgjedhjet e fundit, po pretendon se në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakoshm bashkë me partitë opozitare do të dilnin fituese.

“Qeverisja Mustafa është më e dobët se qeverisja Thaçi, është një status-quo minus e gjendjes në vend dhe shpresoj që Kosovës do t’i jepet një mundësi që të shkojë sa më parë në zgjedhje. Jemi të gatshëm me i marr përgjegjësitë për ndryshim pas zgjedhjeve. Ne jemi më të afërt me partitë politike opozitare, është e kuptueshme. Kur i mendojmë dhe shkaktarët ose përgjegjësit e gjendjes në vend, ju atribuojmë kritika dhe mendojmë që shkaktarë të gjendjes në vend janë partitë që janë në pushtet, në këtë rast PDK dhe LDK”, tha Haradinaj.

Por, nga ana tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, profesor i së drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, është i bindur se ky koalicion do të vazhdojë të funksionojë për faktin se tash për tash nuk ka ndonjë alternativë më të mirë për të qeverisur me vendin.

Megjithatë, ai nuk përjashton faktin se ky koalicion ka ardhur si rezultat i presioneve ndërkombëtare.

“Unë e kam thënë në fillim të lidhjes së tij që ky është koalicion i panatyrshëm dhe i ardhur si rezultat i presionit ndërkombëtar për të realizuar disa objektiva apo detyra shumë sensitive para të cilave ishte vendi. Nuk është ky koalicion i shëndetshëm dhe që i shërben demokracisë, megjithatë deri më tani shihet se funksionon mirë, hiq këtu mospajtime të vogela. Megjithatë nuk shoh rrezik të prishjes, të paktën në rrethanat momentale për faktin që vendi është i paalternativë. Sidoqoftë, në vitin 2016, kur do përballemi me disa çështje tjera mendoj se koalicioni do të jetë para provimit të madh. Deri atëherë, mendoj se e tëra është spekulim dhe se koalicioni do të vazhdoj punën e vet”, tha Hoti për Botapress.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hoti-nuk-ka-prishje-te-koalicionit-pdk-ldk/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala