Hoti: I kemi 165 milionë euro obligime të papaguara

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se ligji i buxhetit është shkelur masivisht nga organizata të ndryshme duke krijuar obligime pa mbulesë buxhetore.

“Janë nënshkruar kontrata nga komuna, ministri, agjenci që nuk kanë qenë të parapara në buxhet, dhe tash kemi obligime apo borxhe. Borxhet, apo obligimet e papaguara të vitit 2014, në total janë 165 milionë euro. Këto borxhe duhet t’i paguajmë tash. Gjysma janë shpronësime dhe më nuk do të lejojmë të ndodhë kjo”, ka thënë Hoti, raporton Koha.net.

Hoti më tej ka thënë se sivjet janë 535 milionë euro vetëm paga dhe mëditje ndërsa investime kapitale 560 milionë euro.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në emision ka thënë gjithashtu se brenda tri viteve të ardhshme duhet të mbyllet AKP-ja, pasi që, sipas tij, nuk ka treguar sukses në privatizim.

“Me ato para të privatizimit kemi plan që me një pjesë të madhe të mjeteve t’i financojmë projektet zhvillimore të planit qeverisës. Kemi nevojë për investime në bujqësi dhe IT sepse aty hapen vende të reja pune”, ka theksuar ai.

Hoti ka thënë se me ligjin për faljen e borxheve përfitojnë mbi 90% të qytetarëve me të ardhura të ulëta, ndërsa ka theksuar se me këtë ligj nuk do të përfitojnë më shumë bizneset siç është thënë ai në emisionin “Puls” të KTV-së.

Tutje, Ministri i Financave ka folur edhe për udhëzimin e ri administrativ për arkat fiskale i cili është duke u finalizuar. Ai ka thënë se pritet të licencohen operatorët e rinj.

“Duhet të ketë më shumë kompani dhe pres që çmimi të bie edhe tek mirëmbajtja, dhe ftoj kompanitë të aplikojnë për tu futur në treg me arka fiskale”, ka thënë Hoti.

Ministri Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i marrin kuponët fiskalë, ndërsa, sipas tij, ato biznese që nuk ofrojnë kupon fiskal bëjnë një sjellje të njëjtë sikur të një zyrtari të lartë publik që korruptohet.

Për sa i përket Doganës dhe ATK-së, Hoti tha se këto dy agjenci kanë një plan për arkëtimin e të hyrave që është larg realitetit të përmbushjes.

“Ka progres në Doganë dhe ATK, por duhet të zvogëlohet informaliteti në këto dy agjenci, duhet të rritet efikasiteti i zyrtarëve doganorë dhe të ATK-së”, tha Hoti.

Ndërkaq, në lidhje me programin e ri të FMN-së, Hoti tha do të aprovohet një shumë prej 185 milionë euro mbështetje direkte buxhetore për të mbushur bilancin bankar dhe projektet e nevojshme që ne shohim se duhet realizuar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hoti-i-kemi-165-milione-euro-obligime-te-papaguara/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala