Hoti: Buxheti i 2016 mbulon transformimin e FSK-së në Ushtri

Autori:Gazeta Fjala

Buxheti për vitin 2016 adreson objektivat zhvillimore të Programit Qeverisës 2015-2018.

Shpenzimet për vitin 2016 do të jenë 1 miliard e 680 milionë euro ndërkaq të hyrat 1 miliard e 598 milionë euro.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Financave, Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook ku sipas tij buxheti për 2016 adreson objektivat zhvillimore të Programit Qeverisës 2015-2018.

Hoti gjithashtu ka bërë të ditur se gjatë hartimit të buxhetit është marrë parasysh qëndrueshmëria fiskale që është siguruar gjatë këtij viti, ndërsa ka shtuar se buxheti është i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ky buxhet, sipas  ministrit të Financave siguron financim të qëndrueshëm për:

– rritjen prej 25% e asistencës sociale për rreth 27 mijë familje në nevojë,

– zbatimin e plotë të ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, për 40 mijë pensionist kontribuues, ku janë siguruar 23 milionë euro shtesë duke e rritur buxhetin nga 68 milionë euro sa ka qenë sivjet në 91 milionë euro për vitin 2015,

– kompensimi për përvojën e punës për 80 mijë punonjësit publikë, që ka kosto prej 30 milionë euro në vit,

– vazhdimi i mbështetjes për bujqësi sikurse që ka qenë sivjet me 47 milionë euro subvencione dhe rreth 6 milionë euro investime kapitale në sisteme të ujitjes, pika grumbulluese dhe tregje për produkte bujqësore,

– pagesa e pensioneve për veteranët dhe kategoritë e tjera të luftës,

– mbulimi i kostove që rrjedhin nga agjenda euro integruese e Kosovës, që është rreth 30 milionë euro nga marrëveshja e MSA-së dhe marrëveshjet e tjera,

– rritja e mbështetjes për organet e drejtësisë, për prokurorinë me 13% dhe gjyqësinë me 5%,

– rritja e mbështetjes financiare për Forcat e Sigurisë së Kosovës me rreth 9%, për modernizim dhe përmbushje të standardeve të nevojshme që kërkohen për transformim të kësaj force në forca të armatosura.

Hoti ka deklaruar se Qeveria do të vazhdojë me racionalizim të shpenzimeve korente, sidomos për mallra dhe shërbime duke shtuar faktin se këtë vit janë kursyer rreth 10 milionë euro, ndërkaq vitin e ardhshëm do të kursehen edhe 4 milionë të tjerë.

“Sivjet janë hequr nga përdorimi 177 vetura zyrtare që janë në ankand publik dhe kjo praktikë do të vazhdojë më tutje”, bëri me dije ministri i Financave.

Buxheti për shpenzime kapitale, tha Hoti, mundëson financimin e mëtejshëm të autostradës Prishtinë-Shkup si dhe të projekteve të tjera infrastrukturore. Ai tha më tej se brenda shpenzimeve kapitale, kemi bërë rritje të financimit për projekte kapitale që kanë për qëllim ngritjen e produktivitetit dhe rritjen e punësimit në sektorin e bujqësisë.

“Buxheti i komunave në vlerë prej 422.2 milionë euro, ju ka siguruar komunave financim të plotë të obligimeve të tyre ligjore për qytetarë. Formula e granteve për komuna është zbatuar me përpikëri për të siguruar barazi në shpërndarje të buxhetit për komuna. Komunat kanë marrë 10% të buxhetit të përgjithshëm, si dhe grantet specifike për arsim, për shëndetësi dhe për kompetencat e zgjeruara të komunave”, thekson ministri Hoti.

Ministri Hoti ka thënë se si pjesë e reformës në menaxhimin e financave publike, Qeveria ka bërë klasifikimin funksional të shpenzimeve buxhetore.

“Buxheti shkon 22% për çështje ekonomike për t mbështetur agjendën e zhvillimit ekonomik të Qeverisë së Kosovës. Po ashtu, 22% shkon edhe për çështje sociale për pensione, kategori të luftës, asistencë sociale etj., që tregon për karakterin social të shtetit të Kosovës. Shpenzimet për arsim marrin pjesë me 17% në shpenzimet totale qeveritare, shpenzimet për shëndetësi me 11%, shpenzimet për rend dhe siguri me 9%, për mbrojtje 3%, për mjedis 1%, për çështjet e banimit dhe komuniteteve 3% dhe rekreacion, kulturë dhe religjion 2%” .

“Buxheti është dokumenti kryesor i politikave ekonomike, që do të forcoj rritjen ekonomike duke krijuar kushte më të mira për biznes dhe përmirësim të standardit të jetës së qytetarëve” ka përfunduar Hoti.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hoti-buxheti-i-2016-mbulon-transformimin-e-fsk-se-ne-ushtri/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala