Hoti: 80 milionë euro në vit do të kursehen nga prokurimi elektronik

Autori:Gazeta Fjala

Ligji i ri i Prokurimit Publik është reforma më e madhe që ka bërë Qeveria e Kosovës prej pasluftës. Prokurimi elektronik që pritet të zbatohet nga 1 janari 2016 llogaritet se do t’ia kursejë buxhetit rreth 80 milionë euro në vit, duke rritur transparencën dhe shkurtuar shpenzimet.

Kështu ka thënë ministri i Financave, Avdullah Hoti, sot në një konferencë me gazetarë, me ç’rast ka dhënë detaje rreth ligjit Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për prokurimin publik, i cili gjatë kësaj jave e mori aprovimin e kabinetit qeveritar.

Hoti tha se me ndryshimet në ligj do të rritet efikasiteti dhe do të ngrihet performanca e shpenzimit të parasë publike.

Nga buxheti i Kosovës shpenzohen rreth 700 milionë euro në viti nëpërmes tenderëve për investime kapitale dhe mallra e shpenzime. Hoti tha se nga praktikat e vendeve të tjera që kanë filluar të zbatojnë prokurimin elektronik, për punët e njëjta pritet të jepen 12 për qind më pak para, ose 80 milionë euro në total.

Kjo, sipas ministrit të Financave, do të bëhet duke e rritur transparencën gjatë procedurave të prokurimit, si dhe konkurrencën mes kompanive që konkurrojnë në tenderë. Madje, ai pret dhe rritje të cilësisë së punëve.

Projektligji trajton modifikimin e çështjeve përmes freskimit të procedurave ekzistuese dhe atyre te reja që janë identifikuar si të nevojshme gjatë zbatimit të Ligjit për prokurim publik.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hoti-80-milione-euro-ne-vit-do-te-kursehen-nga-prokurimi-elektronik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala