Hoteli i Brezovicës që punon vetëm verës!

Autori:Avdyl Pajaziti

Dikur ishte hoteli më i bukur në Kosovë. Edhe kushtet brenda i kishte luksoze. Nuk i mungonte asgjë.

Por, tani Hotel Narcisi në Brezovicë i përngjanë më tepër një gërmadhe se një vendi ku mund të pushohet. Për më tepër, hy hotel që gjendët në një vend turistik dimëror, punon vetëm verës.

“Nuk mund të përballojmë faturat e energjisë elektrike gjatë dimrit. Për këtë arsye kemi vendosur të punojmë vetëm verës”, thotë për Gazetën Fjala, një punëtor i hotelit, pa pranuar t’i përmendet emri.

20150104_143146

Në këtë objekt turistik nuk është investuar asgjë. Shkatërrimi haset qysh në oborr. Aty shihen disa autobusë që i takojnë një kohë tjetër. Njëjtë është pamja edhe brenda.

“Kjo është llozha VIP”, thotë zyrtari i Narcisit. Aty janë dy fotele, të cilat përngjajnë me mobilet e hedhura në kontejnerë. U kanë dalë sfungjerët gjithandej, dhe janë të bëra copë-copë.

Përtej është banaku, të cilin kur e sheh të kujtohen ato kafenetë e mbushura me pluhur në filmat me kauboj- vestern të Holywoodit.
“Eh, dikur këtu pushohej. Vinin të mëdhenjtë”, thotë me nostalgji ai.

20150104_143004

Asnjë investim nuk është bërë në hotel që nga periudha e komunizmit. Hoteli është pronë e ndërmarrjes Inex.

Kjo ndërmarrje, e cila është nën menaxhimin e AKP-së e ka lënë hotelin të shkatërrohet. Njëjtë ka vepruar me krejt kompleksin turistik të Brezovicës, duke pasur telashe të mëdha, sidomos me pagesën e faturave të energjisë elektrike, të cilat shkonin në 500 mijë euro.

Por, drita po shihet në fund të tunelit për kompleksin më të madh turistik të Kosovës. Tashme, qeveria e ka dhënë tërë zonën e Brezovicës me koncesion dhe në bazë të planit, të cilin e posedon Gazeta Fjala, pritet që të ndryshohet komplet kjo zonë. Pra, t’i hiqet ndryshku i dekadave.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hoteli-i-brezovices-qe-punon-vetem-veres/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala