Hooper: Kosova rrezikohet nga terrorizmi i shtetit islamik

Autori:Zekirja Shabani

Problemi i terrorizmit dhe agjendave politike të Shtetit Islamik paraqet rrezik edhe për Kosovën.

Kështu ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e lire James Hooper, ish diplomat amerikan, aktualisht drejtor menaxhues i Grupit Publik për Politika dhe të Drejtën Ndërkombëtare.

Shteti Islamik ka një agjendë politike. Ata kanë arritur të joshin sidomos të rinjtë, nga e gjithë bota. Kanë arritur të tërheqin edhe një numër personash edhe nga Kosova.

Në luftën e Sirisë nuk po luftohet Serbia, nuk është ky një konflikt i ri me Serbinë, nuk është as konflikt i ri për Bosnjën, nuk ka kurrfarë lidhjeje me kufijtë e vendeve në Ballkan, është tërësisht një luftë e tjetërkujt, por gjithsesi ka arritur të tërheqë një numër të caktuar personash nga Kosova, thotë Hooper.

Kjo gjendje është serioze dhe rreziku konsiston në faktin se “këta persona që i janë bashkuar kësaj lufte, me kalimin e kohës fillojnë ti shohin problemet në Kosovë, Bosnjë, Maqedoni e gjetkë, nga aspekti i ideologjisë së Shtetit Islami, ashtu siç i kanë parë në Siri dhe Irak dhe fillojnë realizimin e synimeve për ridefinimin e situatës politike në Kosovë, bazuar në pikëpamjet e tyre.

Diplomati amerikan, Hooper, thotë se lidershipi politik në Kosovë ka qenë aktiv në këtë drejtim, por sipas tij “njerëzit në Kosovë duhet ta analizojnë mirë këtë situatë, ta studiojnë atë dhe ta ndjekin me shumë kujdes. Ky nuk është një problem që nuk mund të zgjidhet brenda natës, por sipas tij rreziku “qëndron në faktin se e gjithë ajo dhunë, mund të ndërrojë kahje dhe të shpërthejë në Kosovë apo edhe në Bosnjë”

Shtetet e Bashkuara shpresoj të jenë duke bashkëpunuar me udhëheqjen politike në Kosovë për ta parandaluar përkeqësimin e gjendjes aktuale dhe për ta përmirësuar në fakt atë, është shprehur Huper.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hooper-kosova-rrezikohet-nga-terrorizmi-i-shtetit-islamik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala