Hollande në SHBA, takim me Obamën për luftën kundrër terrorizmit

Autori:Gazeta Fjala

Presidenti i Francës, Francois Hollande takohet sot me presidentin amerikan Barack Obama në Uashington, në vazhdën e një turi shumëvendesh që synon bashkërendimin e veprime kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe përpjekjet për nje zgjidhje politike të luftës civile në Siri.

Shtëpia e Bardhë sqaroi se dy liderët do të fokusohen tek forcimi i bashkëpunimit në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili ndërmerr prej më shumë se një viti tashmë sulme ajrore ndaj pozicioneve të ISIS-it në Irak e Siri.

Para largimit nga Franca për takimin me Obaman, Hollande zhvilloi bisedime edhe me  kryeministrin britanik David Cameron, i cili premtoi zgjerimin e bashkëpunimit kundër terrorizmit.

Por ndonëse rrugëtimi i kreut të shtetit francez duket i mirëstrukturuar rreth synimit të qartë që të grumbullojë mbështetje pas atentateve të 13 nëntorit, Obama, sipas disa raporteve në mediat lokale, nuk do ta kufizojë axhendën e tij vetëm tek demonstrimi i solidaritetit kundër ekstremizmit.

Zyrtarë pranë presidentit citohen të thonë privatisht se në Uashington, gatishmeria e liderëve kyç europianë për zgjatjen e saksnioneve ndaj Moskës, që përfundojnë në muajin janar, vihet në pikëpyetje.

Shqetësim ngjall po kështu çdo përpjekje e mundshme e presidentit Putin, që do të takohet me Hollande në Moskë më vonë gjatë javës, për t’i lidhur ngjarjet e Sirisë me Ukrainën.

Amerikanët, me sa duket, druhen se shefi i Kremlinit do të tentojë ofrimin e një qëndrimi më agresiv rus ndaj Shtetit Islamik vetëm në këmbim të mbështetjes së Francës për tkurrjen apo edhe rrëzimin e plotë të sanksioneve.

“Heqja e parakohshme e sanksioneve në Europë përbën shqetësim për ne”, pohon Evelyn Farkas, zyrtarja më e lartë në Pentagon për çështjet e Rusisë dhe Ukraines.

“Europianët nuk mund të tërhiqen tani. Situata e Ukrainës është krejtësisht e ndryshme nga ajo e Sirisë”, shton Farkas, duke i bërë jehonë kështu drojës së vetë Kievit zyrtar.

Ky i fundit këmbëngul të tregojë se pas sulmeve të Parisit, Putin mund të përpiqet të fitojë pëlqimin e Perëndimit, duke mësyrë shënjestrat e ISIS në Siri, ndërsa lufta e Ukrainës për mbrojtjen e kufijve të saj do të harrohet./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hollande-ne-shba-takim-me-obamen-per-luften-kundrer-terrorizmit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala