Holanda po negocion me BE-në për Specialen

Pas dhënies së verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për amendamentin 24, procesi i themelimit të Gjykatës Speciale do të vazhdojë. Tashmë i mbetet Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Jashtme, e cila udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, të negociojë me Mbretërinë e Holandës detajet teknike për vendosjen e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në këtë shtet.
Aktualisht Holanda është duke e negociuar paraprakisht me Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS). Këto informata janë konfirmuar nga zyrtarët e lartë politikë në vend dhe nga përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë. Kurse sipas njohësve të proceseve juridike në vend, deri në funksionalizimin e plotë të Gjykatës Speciale do të kalojnë disa muaj, pasi ata vlerësojnë se edhe procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe çështje të tjera nuk do të mundë të përfundohen shpejt.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë të premten për “Zërin” se fillimisht duhet të pritet vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e miratimit të amendamentit 24.