Holanda nis përgatitjet për Specialen

Autori:Avdyl Pajaziti

Mbretëria e Holandës është duke negociuar me Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS) për vendosjen e Dhomave të Specializuara në këtë shtet, derisa zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) thonë se tashmë kanë ardhur kërkesa që sa më shpejtë të nisin negociatat me Holandën, shtet pritës në të cilin do të vendoset qendra kryesore e kësaj gjykate.
Kosova e Holanda pritet që brenda pak ditësh t’i nisin negociatat dhe të nënshkruajnë marrëveshje për vendosjen e selisë kryesore të Dhomave të Specializuara që pritet të jenë në Hagë.

Pas miratimit të amendamenteve dhe Ligjit për Gjykatën Speciale tashmë i është hapur rruga që menjëherë në fillim të vitit që vjen të bëhet funksionalizimi i Dhomave të Veçanta dhe të ngrihen aktakuzat e para me pretendime se janë kryer krime gjatë periudhës së luftës së UÇK-së, shkruan “Zëri”.

Zyrtarë qeveritarë thonë se Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Hashim Thaçi do të udhëheqë procesin e negociata me shtetin holandez që pritet të rezultojë me një marrëveshje, e cila më pas duhet të sillet për ratifikim në Kuvend të Kosovës.

Ardian Arifaj, këshilltar i Ministrit të jashtëm Hashim Thaçi, tha për gazetën se negociatat me shtetin holandez mbi vendosjen e selisë së Dhomave të Veçanta pritet të nisin shumë shpejt.

“Holanda duhet të tregojë se është e gatshme që të hyjë në negociata me shtetin e Kosovës rreth çështjes së vendosjes së selisë së Gjykatës Speciale dhe pas hyrjes në negociata pritet të ketë edhe një marrëveshje ku do të rregullohen të gjitha detajet teknike rreth kësaj gjykate”, ka thënë ai. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/holanda-nis-pergatitjet-per-specialen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala