Historia e krijimit të ISIS dhe arsyet e rekrutimit të të rinjve

Autori:Zekirja Shabani

Deri para 3-4 vjetësh shteti islamik nuk ekzistonte, ndërkohë që tashmë kontrollon një gjerësi të madhe territori të Irakut dhe Sirisë. Duke parë nivelin e makabriteteve dhe fushatës së paparë propagandistike në rrjetet sociale dhe jo vetëm, ISIS-i ka demonstruar vazhdimisht se është më shumë se një organizatë ndërkombëtare terroriste, për me tepër është tashmë një entitet me kapacitete komandim kontrolli dhe logjistike të sofistikuara, e aftë për të mbajtur nën kontrollin e tij territor kritik strategjik në zemër të Lindjes së Mesme. Konflikti i zgjatur sirian, vala e refugjatëve nga rajonet e konfliktit po shfrytëzohet nga ISIS për të eksportuar militantë me synim kryerje aktesh terroriste apo ngritje celulash për të ardhmen. Aktualisht ISIS përbën një kërcënim real edhe për sigurinë globale. Territoret nën zotërimin e tij mund të shndërrohen në një port të sigurt për grupet terroriste, duke ofruar kështu një “safe even” apo një “inkubator” terroristësh për të planifikuar sulme terroriste në vendet perëndimore.

“Nëse ka pasur ndonjëherë një sfidë në botën e sotme të ndërvarur që nuk mund të përballet nga një vend i vetëm është ky: terroristë që kalojnë kufij dhe kërcënojnë të ndërmarrin dhunë”, është shprehur Presidentit Obama në samitin e liderëve për luftën kundër ISIS dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Radikalizmi terrorist dhe rekrutimi nuk ndodhin në vakum. Përdorimi i termit ekstremizëm i dhunshëm dhe trajtimi si shqetësim global gjeti përdorim të gjerë pas shpalljes së shteti islamik nga krahu më radikal i Al-Qaedës, ISIS. Në 29 qershor 2014, udhëheqësit e ISIS-it shpallën krijimin e Shtetit Islamik, me kufi nga qyteti Dayala në lindje të Irakut deri në qytetin Aleppo në veri të Sirisë. Në deklaratën e shpalljes së Shtetit Islamik, i vetë shpalluri Abu Bakar Al Bagdadi iu kërkoi të gjithë myslimanëve të betohen për besnikëri ndaj kalifit të tyre. Ai kërkoi gjithashtu shkrirjen e grupimeve dhe bashkimin nën shtetin islamik.

ISIS ka nën urdhrat e tij  një vëllim të burimeve dhe një hapësirë territori të pashoqe në historinë e organizatave ekstremiste. Shpejtësia dhe shkalla e përparimit të tij kanë qenë shumë të larta, ndërkohë që pasuria e grupit xhihadist llogaritet në miliarda dollarë, duke grumbulluar para përmes teknikave që janë më të njohura nga organizata mafioze, se sa nga grupe revolucionare apo xhihadiste. Në fakt situata u përshkallëzua në këtë pikë nga dështimi total i shtetit irakian për të funksionuar si shtet unitar që ofron shërbime pa diferenca sektare në gjithë territorin. Kriza u shkaktua nga shumë faktorë por në veçanti nga rënia e moralit, ligjit, dinjitetit të shtetit, niveli i lartë i korrupsionit dhe së fundi rënia e ushtrisë irakiane. Grupi nuk do të kishte qenë në gjendje të realizonte një shtrirje kaq të madhe, të funksionojë si një entitet shtetëror, i aftë për të kontrolluar territore dhe ushtruar pushtet mbi një popullsi prej miliona, në qoftë se ai nuk do kishte qenë i armatosur plotësisht si një ushtri konvencionale, pjesërisht prej konfiskimit të pajisjeve ushtarake nga të larguarit nga ushtria irakiane dhe plaçkitja e bazave ushtarake siriane. Shtimi i radhëve të grupimit me luftëtarë nga e gjitha bota, gjerësia e territoreve nën kontroll, makabritetet e kryera ndaj pengjeve perëndimore dhe fiseve kundërshtare, përdorimi i gjerë i rrjeteve dhe mediave sociale, propaganda mediatike, kryerja/kërcënimet/marrja përsipër e akteve terroriste, kanë vënë grupimin nën një vëmendje të paparë ndërkombëtare si një kërcënim global në rritje. Me shpalljen e Kalifatit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, ka bërë një reklamim të tij si lidership i lëvizjes globale xhihadiste.

Ai nuk ka kërkuar vetëm që çdo mysliman t’i premtojë besnikëri atij si kalifi i ri, por ka asnjanësuar gjithashtu legjitimitetin e çdo grupi apo aleance tjetër islamiste, duke përfshirë edhe vetë Al-Qaedën. “I vetë deklaruari Kalif i ri iu paraqit myslimanëve me një zgjedhje ose të pranonin atë si kalifin e tyre ose do të vriteshin.

Shteti Islamik versus Al-Qaeda 

Dihet tashmë që pas 11 shatorit, lëvizja globale xhihadiste është ndarë në dy grupime të mëdha: Al-Qaida dhe grupet e lidhura me të, nën lidershipin e ri Zawahri-t ( post Bin Laden) dhe gjithë të tjerët (grupe kryengritëse dhe terroriste që kanë mbajtur pavarësinë e tyre nga Al-Qaeda). Me shpalljen e shtetit islamik, duket se ISIS është shndërruar grupimi i dytë xhihadist i fuqishëm dhe dominant në botë, i cili ka shprehur hapur synimet e tij: do atë që ka Al-Qaeda, kredibilitet global, mbështetje dhe besnikëri nga organizatat xhihadiste në botë. Me evoluimin e konfliktit sirian dhe avancimin në territore të shtetit islamik, një pjesë e grupimeve i janë bashkuar ISIS-it përfshi grupe të magrebit islamik, grupi kryesor i al-Qaedës në rajonin Afganistan-Pakistan, Al-Nusrah, grupi i Boko Haram etj. Pavarësisht profilit të ulët të liderëve të tyre, grupime të tilla vazhdojnë të deklarojnë besnikërinë shtetit islamik. Një nga pikat e forta të shtetit islamik është mbështetja që ai po merr në komunitete radikale anglishtfolëse. Kjo dinamikë “fatmirësisht” ka potencialin të dëmtojë lëvizjen globale xhihadiste, duke e copëzuar atë në fraksione që luftojnë për resurse dhe mbështetje dhe ndoshta do të përfundojnë të vrasin njëri tjetrin.

Me krijimin e shtetit islamik Al Qaeda fillimisht u dëmtua ideologjikisht.  Ideologjia e saj ishte të luftohej armiku i largët Perëndimi dhe jo armiku i afërm regjimet myslimane “apostate”.  Por Al Bagdadi injoroi instruksionet e Zawahrit. Ai zgjodhi aktet e dhunshme për t’u konfirmuar dhe i konsideronte të pavlefshme organizatat e tjera jashtë Kalifatit. Ndërkohë ISIS edhe pse lindi nga të qenit fraksion i Al-Qaedës dallon nga ajo pasi qëllimet e tij janë të lokalizuara gjeografikisht. Ata ndahen jo vetëm nga objektivat por edhe nga taktikat. Ndërsa Al-Qaeda aspiron për xhihad global, ISIS i ka të përcaktuar dhe shpallur tashmë kufijtë e shtetit islamik. Nga ana tjetër vetë Zawahri është shprehur në mesazh video  se “shteti islamik ështe ilegjitim dhe i bëri thirrje mbështetësve të tij t’i bashkoheshin Al-Qaedës në luftën kundër koalicionit perëndimor”. Në mesazh videot e mëparshme vetë lideri aktual i Al Qaedës  kishte theksuar se asnjë mysliman nuk është i obliguar të dëshmojë besnikëri ndaj Bagdad-it dhe shtetit të tij. I ashtuquajturi kalifat nuk ishte themeluar bazuar në “metoda profetike” dhe nuk kishte dakordësinë e autoriteteve të njohura xhihadiste.  Por nisur nga frika e dominimit dhe shtimit të radhëve të shtetit islamik nga grupimet që më parë ishin nën Al-Qaedën dhe pas një angazhimi të paparë ndërkombëtar mbi koordinimin e përpjekjeve globale në luftën kundër ISIS, duket se ka dalë në pah indicia e parë e liderit të Al-Qaedës ku kërkon unitet ndër grupet xhihadiste, duke konfirmuar kështu përçarjen dhe divergjencat që ekzistojnë mes grupimeve kur i referohet “ngritjes së një sharia (gjykate) të pavarur për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre.” “Amerikanët, rusët, iranianët, alauitët dhe hezbullahu po koordinojnë luftën e tyre kundër nesh dhe ne nuk jemi të aftë të ndërpresim luftën mes nesh në mënyrë që të bashkojmë përpjekjet dhe forcat tona kundër tyre, jo kundër vetes. Russia dhe SHBA janë në krye të dy koalicioneve të mëdha të angazhuar në sulme ajrore ndaj targeteve tona në Siri” është shprehur  Zaëahri në një postim video të publikuar në internet në 1 nëntor 2015.

Masterplani i Shtetit Islamik: “dhjetë shtetet e dekadës tjetër”…dhe Shqipëria

Në deklaratat dhe webfaqet e ISIS-it kohë më parë u  publikua edhe një masterplan i Shtetit Islamik, i quajtur “ the ten state solution”. Harta ka ngjallur diskutime midis teologëve islamë. Walid Shoebat, një ish-anëtar i ish-organizatës për çlirimin e Palestinës (PLO), i kthyer tashmë në një teolog, e ka përkthyer në këtë mënyrë hartën:  Shteti islamik ka objektiva afatgjatë shtrirjeje deri në Ballkan, Spanjë, Portugali.  Ballkani pretendohet të jetë nën “Orobpa” dhe Portugalia dhe Spanja nën “Andalus”; Kurdistani, Iraku dhe Siria do të jenë shtetet e para objektiv të kalifatit, së bashku me Libanin, nën emërtimin Sham; shtete të tjera që do mund të vihen nën kalifat në fazën e dytë do të jenë Turqia ose (Anadolli) dhe shtetet e quajtura Gogaz që përfshijnë Azerbajxhanin, Kazakistanin, Kirgizstanin, Turkmenistanin, Taxhikistanin dhe  Uzbekistanin; nën Khurasan do të bien Irani, Afganistani, Pakistani dhe potencialisht Indonezia, ndërsa  Hijaz do përfshijë shtetet e Gjirit dhe Jemeni; nën Qinana do jetë Egjipti, Sudani dhe Somalia, ndërsa nën Magreb do jenë  shtete e Afrikës së Veriut, si  Libia, Tunizia, Algjeri, Maroku dhe Mauritania.

Harta e shpallur nga shteti islamik shtrihet edhe në gadishullin e Ballkanit. Sa mistike dhe reale mund të jetë ajo?! Harta sipas studiuesve të sigurisë ka probleme dhe duket më tepër një hartë propagandistike për të nxitur besimtarët e këtyre vendeve dhe shtuar radhët e rekrutëve militantë. Ballkani njihet si vend i diversitetit të kulturave, etnive, kombësive dhe në komunitetet myslimane feja myslimane tradicionale e shkollës medhebi hanefi është ajo mbizotëruese. Por rajoni ka pasur here pas here problematika që lidhen me rryma radikale si wahabizmi dhe salafizmi, tentativa për krijim partish politike, influenca të jashtme radikale, përplasje të rrymave here pas here kryesisht në periudha zgjedhjes të drejtuesve të bashkësive islame, tentativa për t’i dhënë karakter fetar lëvizjeve politike etj. Ka aktualisht vatra të nxehta ku predikohet rryma wahabiste si në Bosnjë, Sanxhak, Kosovë e gjetkë.

Pavarësisht efektit propagandistik dhe fantazisë që ky masterplan mund të ketë, nuk duhet të ngelet jashtë vëmendjes së analistëve të çështjeve të sigurisë dhe për parashikime afatgjata për të parandaluar radikalizimin dhe krijimin e vatrave të veçuara eksportuese terroristësh. Përveç përfshirjes në këtë hartë të Ballkanit, është tashmë fakt që shumë vullnetarë nga Ballkani i janë bashkuar ISIS-it. A është kjo një taktikë e grupimit për të nxitur më shumë militantë nga ky rajon për t’iu bashkuar grupimit, pra një taktikë propagandistike për efekte rekrutimi apo një strategji reale i mbetet objekt studimeve dhe vlerësimeve afatgjatë të kërcënimit.

“Shteti Islamik”, kërcënim edhe përtej rajonit të Lindjes së Mesme

ISIS përbën tashmë një rrezik potencial për sigurinë në nivel lokal, rajonal deri dhe global. Sipas teoricienëve ushtarak armiku vendos kur një luftë mbaron. ISIS do të ketë humbur kur të mos ketë më strehë të sigurt, kur nuk do mund të sigurojë më financa, kur nuk do mund të realizojë rekrutime të reja dhe kur të rinjtë ekstremistë apo të zhgënjyer të largohen dhe kthehen në shtëpi. Por edhe atëherë lufta me siguri nuk do të konsiderohet e mbaruar. Industria terroriste  ende do të përfitojë nga të rinjtë siç degët e Al -Qaedës kanë bërë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikë, dhe madje edhe në Indi, duke themeluar kështu një cikim xhihadistësh. Shkatërrimi i ISIS-it nuk është i mjaftueshëm dhe ai është vetëm manifestim i radhës i kërcënimit.Shteti islamik e demonstroi se është kërcënim real për rajonin e Lindjes së Mesme, dhe nën këtë këndvështrim pa një Lindje të Mesme stabël, paqja globale mbetet e rrezikuar. Grupet terroriste do vazhdojnë të gjejnë copëza “safe havens” apo të krijojnë të tilla.

Ka qenë pjesë e debatit politik e akademik të cilët kanë bërë thirrje për Shtetet e Bashkuara për rikthim me trupa në Irak pas tërheqjes në 2011“për të vënë çizme në terren”. Duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit, nivelin e kërcënimit dhe përmasat e shtrirjes së shtetit islamik, SHBA ndërmori iniciativën e dërgimit të forcave speciale në Siri. Sekretari i Mbrojtjes, Robert Work  u shpreh në Samitin e “Defense One”, 2015  se “Shekulli i  të gjithave është koha e strategjisë së madhe, ku padyshim një vend të rëndësishëm zënë fushata globale kundër terrorizmit, e shenjuar nga lufta kundër ISIS.  Forca speciale amerikane do të dislokohen në terren në pjesën verilindore të Sirisë së bashku me grupe të tjera, përfshi turkmenë, kurdë etj. Përveç pajisjes së tyre me mjete mbrojtjeje misioni i tyre do të jetë strikt këshillim dhe asistencë, mision i ndryshëm nga ai në Irak si fillim. Aleatët  janë në kuadër të fillimit të një strategjie të re në luftën kundër grupeve terroriste, të cilat do fokusohen në Irak me ndihmën e forcave irakiane të rimarrin Ramadin, de Bayji dhe më tej Mosulin. Në Siri objektivi imediat është to merret dhe mbahet kryeqyteti i vetë deklaruar i ISIL-it, Raqqa”.

Në nivelin global, ISIS tashmë paraqet një rrezik për sigurinë ndërkombëtare. “Konflikti sirian e ka shndërruar atë rajon në një terren të ekstremizmit të dhunshëm. Kjo është një krizë globale dhe kërkon një zgjidhje globale. Në deklaratat e herëpashershme  të bërë nga krerë të ISIS, janë bërë kërcënime të drejtpërdrejta ndaj vendeve perëndimore, të konkretizuara tashmë edhe me akte terroriste. Një kërcënim real të konsiderohet i tillë duhet të ketë tre elementë: synim, kapacitete dhe mundësi.  Qartësisht ISIS ka synim të shprehur, deri edhe kanë deklaruar në videot e prodhuara si pjesë e fushatës së tyre propaganduese që “flamuri i zi  do të fluturojë i lirë mbi shtëpinë e bardhë”. ISIS ka kapacitete financiare për të mbuluar blerjet e armatimeve, financuar rekrutimet dhe deri thithjen e mercenarëve me pagesë, ka arritur të zotërojë sasi shumë të madhe territori nga ku mund të shndërrohet në inkubator për terroristët. Sipas një studimi të Task Forcës amerikane “Fushata e sulmeve ajrore duket se nuk ka ndaluar frymëzimin e luftëtarëve të huaj për t’iu bashkuar ISIS-it. Kur filluan sulmet ajrore radhët e militantëve islamistë ishin rreth 15.000, sot deri 25.000 luftëtarë të huaj, të tjerë vazhdojnë të hyjnë në Siri mesatarisht 1000 në muaj. Ata kanë bërë të mundur që ISIS të mbetet i fuqishëm, edhe pse deri 10.000 luftëtarë janë vrarë nga fushata ajrore, ata janë zëvendësuar shumë shpejt nga luftëtarë të rinj, çka ka bërë që numri ka mbetur pothuaj i njëjtë”.

ISIS paraqet një kërcënim për të gjithë shtetet moderne, pasi ka sfiduar kufijtë e sistemit shtet modern. ISIS është tashmë një kërcënim real për botën e qytetëruar. Përballja me këtë kërcënim është shumë e vështirë dhe arritja e strategjive ndërkombëtare për ta luftuar gjithashtu.  Bazuar në një letër nga një nga nipat fiktivë të Bin Ladenit dërguar një familjari të tij në 2020 (nga materialet e kapura pas vrasjes së Bin Ladenit), Raporti i Këshillit të Inteligjencës Kombëtare “Mapping the global future” 2020, parashikonte se “Islami radikal do të ketë një impakt global domethënës bazuar në grupime etnike, fetare deri në krijimin e një autoriteti që sfidon kufijtë shtetërorë.

Çështja e “luftëtarëve të huaj” dhe rreziku që mbart kthimi i tyre në vendet e origjinës.

Që me fillimin e konfliktit në Siri, një numër i madh vullnetarësh iu bashkuan grupimeve radikale aty. Pjesa më e madhe e tyre i janë bashkuar tashmë Shtetit Islamik, jo vetëm që luftojnë përkrah tij por janë angazhuar në akte terroriste, fushatë propagandistike dhe kërcënime ndaj vendeve të tyre të origjinës.  Disa nga karakteristikat që konstatohen ndër ta, pavarësisht vendeve nga janë larguar:

  1. 1. Mosha më e ndeshur e vullnetarëve është 18-29 vjeç, edhe pse ka shumë raste të moshës 15-17 vjeç, apo edhe tek të 30-ta. Sipas studiuesve të sigurisë kjo moshë është më e re se ajo e vullnetarëve të “xhihadit” në Afganistan, ku më e ndeshura ishte 25-30 vjeç.
  2. 2. Shumica e luftëtarëve ishin pa përgatitje ushtarake dhe pa ndonjë eksperiencë të mëparshme luftimi edhe pse ka një bërthamë me luftëtarë të vjetër, që kanë luftuar në fronte të tjera të cilët kanë formuar tashmë njësitë e tyre.
  3. 3. Një numër i konsiderueshëm i rekrutëve nga vendet perëndimore janë të rinj të fesë islame. Mesatarisht 6% e vullnetarëve nga vendet e BE-së, janë të konvertuar. Shumë vullnetarë nga vendet perëndimore janë brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve të ardhur në këto vende.
  4. 4. Pamjet e përgjithshme të ofruara nga luftëtarët për jetën e tyre në shtetin islamik flasin për aktivitete të motivuara, të përziera me një ndjenjë heroizmi, për të tërhequr bashkëkombasit e tyre dhe për t’i dhënë kuptim imazhit të tyre.
  5. 5. Motivimet janë të shumta, duke filluar nga nevoja ekonomike, papunësia, injoranca e kulturës së shëndoshë fetare. Rrjetet sociale gjithashtu kanë luajtur rol domethënës. Mundësia dhe dëshira për të marrë pjesë në një betejë të profetizuar, si 1.400 vjet më parë, për disa prej tyre ishte një motiv.. Për të tjerë “Të jesh “xhihadist”, do të thotë të jesh i obliguar për të ndihmuar komunitetin mysliman që është aktualisht “i sulmuar”. Ky është motivi qendror i shpëlarjes së trurit nga ekstremizmi islamik, që nga koha e Al-Qaedës në vitet 1990.
  6. 6. Atrocitetet ndaj popullsisë civile në Siri mund të kenë ndikuar edhe në ngjalljen e ndjenjës së solidaritetit në fillimet e konfliktit por më pas teatri i luftës u rezervoi një situatë krejt tjetër, në shumë raste pa kthim.
  7. Një tërheqje tjetër është mundësiapër të jetuarnë një vend kurregullat dhesjelljajanëvetëm në përputhje me mësimet e Islamit. Njohuritë e tyre për fenë janë rudimentare dhe kështu ata nuk e vënë në dyshim autoritetin e udhëheqësve të tyre dhe i besojnë verbërisht për ato që thonë.
  8. 8. Disa e shohin luftën si një mundësi për aventurë, për arratisje nga vendi ku janë, apo për përfitime financiare. Shumë të tjerë, mund të mos jenë në gjendje të thonë se përse ata kanë vendosur të marrin pjesë në luftë. Ka edhe të gënjyer që janë ndeshur me realitet krejt tjetër atje, që janë kthyer dhe vazhdojnë jetën normale.

Është shqetësues fakti që kësaj radhe teatri i konfliktit sirian përfshiu një numër më të madh se çdo herë tjetër vullnetarësh/luftëtarësh shqipfolës. Një pjesë e tyre nga zonat rurale, të varfra dhe me nivel arsimor të ulët. Shumica kanë udhëtuar edhe me familjet, ka pasur raste edhe të marrjes edhe të fëmijëve pa dijeninë e nënave si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Shumica nuk kanë pasur mbështetjen e familjes dhe në shumë raste familja nuk ka ditur për largimin e tyre drejt luftës. Është në fakt hera e parë që faqet-web apo videot e shpërndarë nga xhihadistët japin mesazhe kërcënuese nga shqiptarë në gjuhën shqipe. Është po ashtu hera e parë në historinë e xhihadizmit që thirrjet e liderit të  ISIS-it  u përkthyen edhe në gjuhën shqipe.

Burimet e hapura të informacionit flisnin edhe për një “Brigadë të Ballkanit” që nuk dihet nese  është më shumë mediatike dhe ka efekt propagandues apo synim ambiciesh të disa prej luftëtarëve shqipfolës, liderëve të tyre të vetëshpallur si të tillë, për të zënë dhe fituar influencë në radhët e grupimit. Ndërsa në fillimet flitej për vullnetarë dhe motivet ishin nga më të ndryshmet tashmë bëhet fjalë për  luftëtarë të huaj, të cilët  shkojnë në Siri/Irak të vetëdijshëm për çfarë po shkojnë dhe kujt do t’i bashkohen. Rreziku më i madh qëndron pikërisht në këtë kategori. Tashmë situata ka evoluar, ISIS është shndërruar pika fundore e përfundimit të vullnetarëve që janë aktualisht pjesë e terrenit të konfliktit. Pavarësisht adresimeve ligjore, përforcimit të masave të sigurisë, kontrolleve kufitare, kufizimeve të tjera, thirrjet për rekrutime (në rrjete sociale) kanë vazhduar në mënyra edhe më të sofistikuara. ISIS vazhdon të jetë “i suksesshëm” në përdorimin e mediave sociale, ata janë aq të adaptueshëm me median sociale saqë nëpërmjet kësaj po arrijnë të infektojnë individë në shkallë të paparë globale.

Ecuria nga vullnetar në terrorist nuk është lineare, as dhe e pashmangshme dhe shumica e njerëzve që kthehen nga lufta në Siri mund të mos jenë kërcënim terrorist, vështirësia është se si mund të dallohen ato. Pothuajse të gjithë ata që luftuan kundër Bashkimit Sovjetik në Afganistan u bënë terroristë më pas, megjithëse rrethanat ishin të ndryshme. Sipas disa studiuesve ekziston rreziku i organizmit të selektuar të kthimit të vullnetarëve dhe përdorimit të tyre për akte terroriste në vendet e origjinës, deri selektime për në vendet e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS, aktet terroriste në Paris konfirmuan këtë parashikim. Sipas analistëve të inteligjencës amerikane “Ne nuk e dimë se ata do veprojnë sot apo nesër, por çfarë ne dimë është që në 10-15 vjet, jo thjesht muajin e ardhshëm, do të përbëjnë një kërcënim. Ata kanë marrë trajnim ushtarak, kanë krijuar rrjetet e tyre, e kemi parë këtë me luftëtarët që luftuan ish-sovjetikët në Afganistan në vitet 1990. Të tjerë u kthyen në shtëpitë e tyre në Libi, Pakistan, dhe atje ashtu si shokët e tyre në Afganistan u shndërruan në elitë lidershipi të xhihadit të ri”.

Ka edhe raste ku edhe pas largimit në vendet e origjinës, vazhdojnë të mbajnë kontakte në rrjete sociale dhe mbeten kështu të radikalizuar gjithë kohën edhe pse e kanë lënë fushën e betejës. Luftëtarët e huaj janë motiv i fuqisë së ISIS. Ata arrijnë të zëvendësojnë luftëtarët e vrarë menjëherë. “Ne mendojmë se çështja më e vështirë qëndron te lufta kundër luftëtarëve të huaj. Një nga nëntë xhihadistë perëndimore kanë ndërmarrë sulme kur janë kthyer nga rajoni i konfliktit në vendet e tyre. Edhe pse rreth 10 për qind, është gjithsesi një shifër shqetësuese duke u nisur nga fakti që 25 000 ekstremistë kanë shkuar me dëshirën e tyre atje. Aktet e kryera nga të kthyerit janë më vdekjeprurëse edhe nga përmasat”, vlerësonte një studim i Task Forcës amerikane në shtator 2015.

Pse vendi ynë nuk është imun ndaj këtij kërcënimi?

  1. Shqipëria ka ratifikuar të gjitha konventat kundër terrorizmit të OKB dhe KE dhe protokollet e lidhura me to; është tashmë vend anëtar i NATO-s dhe kontribues me kontingjente të FA qysh në krye të herës nga “Iraqi Freedom”, Afganistan deri në koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS, si dhe iniciativat rajonale kundër terrorizmit. Shqipëria  është nga vendet e para që iu përgjigj kësaj sfide globale, duke marrë masat e duhura ligjore në nivel kombëtar. Qenia në një koalicion siç përmban benefite e garanci sigurie  mbart edhe një nivel kërcënimi. Mesazhet kërcënuese vijnë për vendet e koalicionit edhe pse jo nominalisht ndaj vendit tonë.
  1. Në videot xhihadiste nuk kanë munguar kërcënimet direkte për akte terroriste edhe ndaj vendit tonë, Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit, ç’ka do të thotë se vëmendja e ISIS karshi Ballkanit është shtuar. Në mars 2014, 13 individë u arrestuan për lidhje me terrorizmin, me akuza për rekrutim të rreth 70 individëve për t’iu bashkuar Al Nusras në fillimet e konfliktit dhe më pas shtetit islamik. Nëntë prej tyre po përballen me gjykimin në Tiranë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kosovë ku janë arrestuar deri tani rreth 100 individë, përfshi edhe një numër drejtuesish komuniteti fetar apo figura të lidhura me Bashkësinë islame të Kosovës, dhe një pjesë e tyre janë liruar për mungesë provash për lidhje të tyre direkte me terrorizmin.
  1. 3. Edhe pse një vend simbol i harmonisë fetare me faktor politik e social mbështetës të kontributit domethënës që jep vendi në luftën kundër terrorizmit në kuadër të sigurisë kolektive e globale, ka luftëtarë shqipfolës që i janë bashkuar ISIS, për më tepër mes tyre ka fëmijë (përfshi edhe nga diaspora). Në videot e ISIS-it kemi parë fatkeqësisht shpesh si trajnohen fëmijë deri në përdorim armësh. Ka me mijëra klikime dhe pjesëmarrje në forume me karakter ekstremist e gjuhë dhune. Terrorizmi nuk vepron në vakuum as lind në vakum. Edhe Franca mundi të goditet edhe nga kjo, edhe pse një vend simbol i lirive radikalizmi ka gjetur vend dhe terroristët kanë krijuara tashmë rrjetet e tyre.
  2. Përçarjet dhe ambiciet mes grupimeve për sferë influence mund të çojnë luftëtarët shqipfolës në ndërmarrje aktesh terroriste edhe në vendet e tyre të origjinës si mjet “për t’u bërë prezent dhe krijuar identitet në radhët e ISIS-it.
  3. Shumica e individëve që i janë bashkuar në fillimet e tij Al Nusras dhe më pas shtetit islamik ishin individë të paarsimuar mirë, nga zona të varfra. Aktualisht ka një masë të rinjsh po të jomirëarsimuar e të varfër që mund të mos kuptojnë mirë shumë gjëra por që përdorin rrjetet sociale, edhe pse ndoshta vetëm ato. Rreziku i radikalizimit të tyre në këtë situatë është konsistent.

Përballja me kërcënimin

Ndërsa konflikti sirian vazhdon, një valë e madhe refugjatësh sirianë ka gjetur të papërgatitur Evropën në menaxhimin efikas të situatës. Përveç çështjes humanitare trajtimit, strehimit, regjistrimit të refugjatëve, respektimit të të drejtave të njeriut, detajet nga ngjarja e Parisit dëshmuan se kjo valë mund të përdoret nga ISIS si mundësi për të dërguar xhihadistë për të kryer akte terroriste e zënë rrënjë për formim celulash në këto vende. Një dimension i ri i perceptimit të kërcënimit terrorist. Ndërkohë që vazhdon furnizimi i ISIS-it me luftëtarë të huaj edhe nga vendet perëndimore, kjo për shkak të përdorimit të komunikimeve më të sigurta, përdorimit të shumë tranziteve apo kombinimi ajër-tokë, tokë-ajër, ajër-ajër-tokë-ajër, vështirësitë e identifikimit edhe për mungesë të një baze të dhënash globale të luftëtarëve të huaj, nga vendi ynë konstatohet rënie.  Një pjesë e të kthyerve i janë kthyer jetës normale qetësisht, disa janë vrarë në luftime, të tjerë vazhdojnë të jenë aty.  Edhe pse nuk gjendemi përballë një paniku apo akti eminent terrorist, kjo për shkak edhe të impaktit që nuk do ishte ai që ISIS kërkon, punës së agjencive të inteligjencës, që ndryshe nga vendet më të mëdha kanë të identifikuar tashmë identitetet e luftëtarëve të mbetur dhe të dyshuarit, terroristët i kanë sofistikuar mënyrat e veprimit, komunikimit, hapësira dixhitale, rrjetet sociale ua kanë “mundësuar” këtë. Përdorimi i gjerë i rrjeteve sociale për propagandë, rekrutime, financime, radikalizim imponon ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore e njerëzore të  afta për monitorim të fenomenit mbështetje agjencive të inteligjencës me resurse financiare dhe teknologji të avancuar. Prioritet u duhet dhënë edhe krijimit/përforcimit të njësive analitike në strukturat përgjegjëse për kundërterrorizmin të agjencive të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit, trajnime të vazhdueshme, përforcim kapacitetesh analitike profesionale njerëzore (në inteligjencë asnjë mjet shkencor nuk e ka zëvendësuar deri më sot gjykimin e analistit).

Vizita e Papës së Shenjtë në vendin tonë, tregoi se institucionet e inteligjencës dhe sigurisë koordinuan dhe ofruan kushte sigurie maksimale për një vizitë tejet të suksesshme që do mbetet gjatë në memorien tonë historike. Institucionet e inteligjencës, sigurisë dhe strukturat e policisë u angazhuan në një koordinim të paparë, shkëmbim informacioni në kohë dhe operacione të përbashkëta. Mësimi i nxjerrë përtej një vizite, do ishte koordinim, bashkëpunim i vazhdueshëm dhe shkëmbim informacioni në kohë e vijimësi pa asnjë xhelozi institucionale. Një copëz informacioni që nuk duket domethënëse për një institucion mund të jetë thelbësor për institucionin tjetër.

Aktet terroriste në Paris, dëshmim i intensitetit të kësaj vale terrorizmi, tregon më së miri se është koha “që duhet të flasim të gjithë” dhe perceptojmë dimensionin e ri real të kërcënimit, pjesë e një strategjie, e cila nuk është vetëm ekskluzivitet i strukturave përgjegjëse të shtetit, por më gjithëpërfshirëse. Agjencitë e inteligjencës dhe zbatimit të ligjit mund të neutralizojnë e parandalojnë akte terroriste por nuk mund padyshim të parandalojnë radikalizimin drejt ekstremizmit të dhunshëm. Vetëm një qasje gjithëpërfshirëse ndaj këtij fenomeni do mund të ndihmonte në parandalimin e radikalizmit dhe monitorimin/neutralizimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Në shumë debate e shkrime është theksuar shumë fakti që Franca është vendi simbol i lirive dhe prandaj u zgjodh target. Gjykoj se përveç kësaj vlere, Franca u zgjodh edhe pse është pjesë e koalicionit ndërkombëtar, ka filluar e para pas amerikanëve me bombardimet e shtetit islamik në Irak, ka kontingjente dhe prezencë ushtarake në disa vende të Afrikës si Mali, Nigeri etj., ka qenë më e qartë në deklaratat për vendosmërinë e rrëzimit të regjimit të Asadit në Siri. ISIS po shpalos tashmë “aftësinë e saj” të veprojë edhe globalisht çka ka qenë ekskluzivitet i Al-Qaedës. Kërcënimet e kësaj vale terrorizmi mund të jetë edhe tentativë e ISIS-it të dëshmojë Al-Qaedës se është e aftë të shkaktojë panik me impakt të gjerë jo të kufizuar në territoret nën kontroll. Al Bagdadi kështu u konfirmon grupimeve që nuk kanë deklaruar akoma hapur bashkimin me të se ato duhet të vendosen tashmë në një lidership të ri, atë vetë.

*Mimoza Xharo ka gradën “Doktor i Shkencave” në Çështjet e Strategjisë. Për një kohë të gjatë, specialiste në çështjet e Inteligjencës. Autore e Librit  “Një Paradigmë e re në Inteligjencë”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/historia-e-krijimit-te-isis-dhe-arsyet-e-rekrutimit-te-te-rinjve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala