Himni i Kosovës intonohet për herë të parë zyrtarisht në Serbi

Autori:Avdyl Pajaziti

Serbia është organizator i “Ballkaniadës” në taekwondo e cila do të mbahet në Zrenjanin.

Por, mediat në Serbi këtë organizim po e quajnë skandaloz pasi që nën presionin e Evropës, në këtë garë do të merr pjesë edhe Kosova.

Edhe më parë klube nga Kosova dhe Serbia janë ndeshur me njëra-tjetrën, por në terrene neutrale, kurse kjo është hera e parë që këto përballje të zhvillohen në Serbi, shkruan portali serb “Sport”.

Ajo që ky medium e quan më të keqen në këtë aspekt është pafuqia e Serbisë.

“Taekwondistët nga Kosova vijnë në Zrenjanin, pasi që Federata e tyre është e pranuar në Unionin Ballkanik të Taekwondos, dhe kështu kanë të drejtë të garojnë”, ka thënë për “Sport” sekretari i përgjithshëm i Federatës Serbe të Taekwondos, Zoran Çendiq, transmeton Koha.net.

Kjo do të thotë se Serbia është e pafuqishme dhe si e tillë do të lejojë pjesëmarrjen e ekipeve të Kosovës.

Madje ky medium serb po e cilëson si rast unik në botë pasi “një shtet ka dy përfaqësuese”.

Edhe taekwondistja më e mirë serbe, Milica Mandiq, këtë situatë e ka cilësuar si të pakëndshme.

“Askujt nga ne nuk i vjen mirë që ekipe nga Kosova do të marrin pjesë. Jemi të dëshpëruar sidomos pasi që gjithçka po ndodh në raportin Serbi – Kosovë”, ka thënë Mandiq, transmeton Koha.net.

Kampionati i taekwondos në Zrenjanin do të mbahet më 5 dhe 6 dhjetor ku edhe do të intonohet himni i Kosovës, për herë të parë zyrtarisht në Serbi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/himni-i-kosoves-intonohet-per-here-te-pare-zyrtarisht-ne-serbi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala