Hetimet e EULEX-it që quan në aktakuzë ndaj Gjukës dhe të tjerëve (Dokumente)

Autori:Avdyl Pajaziti

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjuka dhe i tërë menaxhmenti udhëheqës i kësaj kompanie ia kishin dhënë tenderin disa milionësh për sigurim konzorciumit “Security Code/WDG”. Kompania e parë e lidhur me kryetarin e Skënderajt nga PDK, Sami Lushtaku dhe e dyta e lidhur me kryetarin e Obiliçit, Xhafer Gashi nga AAK-ja.

Por i tërë tenderi ishte shoqëruar me një varg dallaveresh e mashtrimesh.

3

2

1

Lidhur me rastin Gazeta Fjala ka arritur që të sigurojë një pjesë të hetimeve që ka bërë EULEX-i, përkatësisht prokurori, Cezary Michalczuk, e  që përfunduan me ndërtimin e aktakuzës për disa zyrtarë, përfshirë këtu Arben Gjukën dhe ish Drejtorin e Prokurimit të KEK-ut, Driton Pruthin.

“Në momentin që vërtetohet që është lëshuar një dokument i falsifikuar apo që nuk i përmbanë të dhënat e sakta, institucioni apo personi ka bërë vepër penale dhe duhet të dënohet me ligj”, Fidan Kalaja,Llëvizja FOL.

 

Madje mashtrimin e ka mundësuar Administrata Tatimore e Kosovës e cila kompanisë WDG ia kishte lëshuar vërtetimin se nuk kishte thuajse fare obligime ndaj shtetit, pasi borxhi ishte vetëm 25 euro. Por, hetimet e EULEX-it treguan se ky është mashtrim, pasi borxhet e kësaj kompanie në periudhën 2006- 2013 ku përfshihen edhe intersi dhe dënimet kalonte shumën prej 934 mijë eurosh.

Për krejt këtë dollaver njohësit e rregullave të prokurimit si dhe monitoruesit e kësaj fushe kërkojnë dhënie të përgjegjësisë.

Fidan Kalaja nga organizata FOL fshehjen e tatimit ndaj shtetit përkatësisht Administrates Tatimore e konsideron si vepër penale.

“Në momentin që vërtetohet që është lëshuar një dokument i falsifikuar apo që nuk i përmbanë të dhënat e sakta, institucioni apo personi ka bërë vepër penale dhe duhet të dënohet me ligj”, ka deklaruar Kalaja.

Sipas tij në këtë rast ATK dhe zyrtarët e saj duhet të përgjigjen para drejtësisë. Por pa faj nuk mbetet as KEK e menaxhmenti i tij. Sipas Kalajës autoriteti kontraktues është i obliguar që të verifikoj dokumentet e kompanive ofertuese. Në këtë rast i bie që KEK e ATK me apo dijeninë e tyre shkelen rregullat e prokurimit publik si dhe edhe më shumë Kodin e Procedures Penale.

Vargut të mashtrimeve këtu i bashkëngjitet menaxhmenti i KEK-ut, që duket se domosdoshmërisht dëshironte t’ia jepte kontratën këtij konzorciumi. EULEX ka hetuar a kishte bërë ngatërresë qëllimshëm apo jo ATK për certifikatën e lëshua me zero borxhe. Por, menaxhmenti i KEK-ut ishte njoftuar me kohë se WDG kishte borxhe të papaguara. Në një shkresë që kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut- SPEK, Izet Mustafa ua kishte dërguar menaxhmentit të KEK-ut, duke përfshirë edhe dy të akuzuarit Gjukaj e Pruthi, cekej qartë se WDG kishte së paku 300 mijë euro kontribute të papaguara të punëtorëve. Aty menaxhmenti i KEK-ut lutej që të mos e nënshkruante kontratën me konzorciumin fitues pa u bërë pagesa e kontributeve pensionale.

4

“Sipas informatave që kemi deri tash i kemi marrë nga terreni bëhet fjalë për një shumë të përafërt prej 300 mijë eurosh të papaguara ndaj punëtorëve. Në emër të Shoqatës Sindikale “Mbrojtja e Siguria në KEK” ju përcjelli informatën dhe njëkohësisht kërkesën që të mos e nënshkruani kontratën me konzorciumin KODI- WDG pa i zgjedhur problemet e krijuara nga vitet e mëparshme…”, thuhet në letrën të cilën Mustafa ia kishte dërguar menaxhmentit të KEK-ut me 26 nëntor të vitit 2012. Në bazë të ligjeve në Kosovë dihet se nëse një kompani ka 300 mijë euro kontribute të papaguara të punëtorëve, të cilat nuk i ka deklaruar, atëherë ka gati dyfish tatime në të ardhura personale të papaguara.

“Deri më tani, çdo here i jam përgjegjur hetuesisë dhe prokurorit special për të sqaruar çdo dyshim lidhur me këtë çështje”, Arben Gjuka, Drejtor menaxhues në KEK.

E vet drejtori menaxhues i KEK Arben Gjuka është shprehur i gatshëm të bashkëpunoj me drejtësinë rreth tenderit të sigurisë fizike.

“Deri më tani, çdo here i jam përgjegjur hetuesisë dhe prokurorit special për të sqaruar çdo dyshim lidhur me këtë çështje”, ka sqaruar Gjuka.

Por Gjuka ka shprehur friken se nga përvojat e së kaluarës në Kosovë është dëshmuar se ka patur shume raste, ku zyrtarë të ndryshëm publikë janë akuzuar, publikisht, dhe në fund drejtësia i ka shpallur të pafajshëm andaj ai ka kërkuar mirëkuptim, që të mos paragjykohet fajësia e askujt në KEK  përderisa  drejtësia nuk e ka thënë fjalën e vetë përfundimtare.

Deklarata e Arben Gjukës ka ardhur pas publikimit të lajmit se një prokuror ndërkombëtar i EULEX-it ka ngritur aktakuzë për korrupsion në vlerë prej rreth 6.2 milionë euro në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Në aktakuzë pretendohen vepra të ndryshme penale ndaj 7 të pandehurve, ku përfshihen – mashtrimi dhe falsifikimi i dokumenteve, shpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit, nxitja për shpërdorimin e pozitës zyrtare apo autoritetit dhe lidhja e kontratave të dëmshme.

 

 

Aktakuza është ngritur ndaj:

Arben Gjukajt, drejtor në Korporatën Energjetike të Kosovës

Hysni Hoxha, kryetar I Organit Shqyrtues të Prokurimit

Driton Pruthi, ish zyrtar i prokurimit në KEK

Lulzim Lushtaku

Esat Tahiri

Agron Jusufi

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/hetimet-e-eulex-it-qe-quan-ne-aktakuze-ndaj-gjukes-dhe-te-tjereve-dokumente/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala