“Heshtja e Kohës”,  romani më i ri nga Kaltrina Maloku

Autori:Zekirja Shabani

Vitrinave të bibliotekve, iu është shtuar edhe një roman nga shkrimtarja e re dhe mjaft premtuese, Kaltrina Maloku.

Ajo vjen me romanin “Heshtja e Kohës”, në të cilin trajtohet një romancë dashurie e ndikuar nga dukuritë negative në shoqërinë tonë, siç janë paragjykimet dhe thashethemet në jetën e përditshme, dukuri këto që shqiptaret i kanë përcjell ndër vite.

E femra çdoherë është ajo që më së shumti i drejtohet gishti në shoqërinë shqiptare dhe për këtë arsye edhe romani i shkrimtares Kaltrina Maloku, në një formë është edhe apel për gjithë shoqërinë që të jetojnë jetën ashtu siç duan dhe jo ashtu siç duan të tjerët, pastaj çfarë të servir fati është çështje tjetër.

Po ashtu në këtë roman, paraqitet edhe ndikimi i papunësisë në jetën e të rinjve, si dhe jeta familjare nën ndikimin e këtyre dukurive negative. Po ashtu një temë tjetër që trajtohet në roman është edhe alkoolizmi dhe ndikimi negativ që ka përdorimi i tepruar i alkoolit. Tema këto që trajtohen me shumë emocion nga autorja dhe vihet re theksi i veçantë që i kushton përshkrimit të gjendjes emocionale dhe shpirtërore të personave përballë vështirësive jetësore. Me këtë rast, duhet theksuar se shkrimtarja e re, Maloku, përmes këtij romani ngre zërin në mbrojtje të ndjenjës së pastër të dashurisë dhe të mirës në përgjithësi.

Ndryshe, romani është botuar gjatë këtij muaji nga shtëpia botuese “Zef Serembe” dhe është shtypur nga shtypshkronja “Lena Grafik”, me redaktor Behar Gjokën dhe recensent Flamur Maloku. Ndërkaq, botimi i këtij romani është mbështetur financiarisht nga Agjencioni për Financim në Kosovë (AFK), ndërsa lexuesit mund ta gjejnë shumë shpejt atë nëpër libraritë e vendit.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/heshtja-e-kohes-romani-me-i-ri-nga-kaltrina-maloku/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala