Haziri sfidon Isa Mustafën

Autori:Zekirja Shabani

Garës për Kryetar të LDK’së pritet t’i hyjë edhe Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar kandidatura e tij, Haziri pritet të jetë konkurrenti kryesor i Kryeministrit Isa Mustafa për të udhëhequr Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Haziri ka thënë se janë duke biseduar me anëtarët e LDK’së, por ende nuk ka asgje definitive.

“Ka vetëm biseda”, ka thënë Haziri, për Gazetën Express.

Deri tash, Fatmir Sejdiu dhe Vjosa Osmani janë shprehur se do t’i hyjnë garës për kreun e LDK’së pavarësisht se në garë është Kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

Mustafa është duke përgatitur në heshtje marrjen edhe të një mandati në krye të LDK’së. Kështu kishte vepruar edhe në zgjedhjet e vitit 2010 kur ia kishte marrë udhëheqjen e LDK’së, duke e shpallur kandidaturën në ditën e Kuvendit Zgjedhor.

Megjithëse është Kryeministër, Isa Mustafa pas vetës ka lënë tri humbje të LDK’së, dy palë zgjedhje dhe dorëzimin e Prishtinës në duart e Partisë së Albin Kurtit.

Qeveria e koalicionit LDK-PDK prite të testohet në prill të vitit të ardhshëm kur i skadon mandati Atifete Jahjagës në krye të Shtetit. Sipas marrëveshjes, vitin e ardhshëm Thaçi parashihet të bëhet President i Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/haziri-sfidon-isa-mustafen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala