Haxhiu: Nuk e kam ndërmend të paraqitem në Prokurori

Autori:Avdyl Pajaziti

Prokurorët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës edhe të dielën janë marrë me identifikimin e personave që kanë sulmuar Policinë gjatë protestave të fundit të organizuara nga opozita, duke përfshirë këtu edhe deputetët që kanë hedhur gaz lotsjellës në seancat plenare të Kuvendit.

Kështu bëjnë të ditur burime të gazetës “Zëri” brenda Prokurorisë.

Megjithatë, deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, as që planifikon të paraqitet në Prokurori, pavarësisht urdhërarrestit për të.

“Ne nuk po paraqitemi në Prokurori, pasi konsiderojmë që fletarrestet e lëshuara për ne si deputetë janë urdhra politikë dhe si të tillë të padrejtë. Pushteti sot ka kapur çdo mekanizëm shtetëror. Ne po persekutohemi politikisht nga Policia e Kosovës derisa kriminelët e strukturave paralele brenda uniformës policore të Kosovës në veri të vendit arrestojnë ata shqiptarë që duan të kthehen në shtëpitë e tyre”, ka thënë Haxhiu për “Zërin”.

Ndryshe nga deri më tani kur deputetët kanë dalë publikisht, pavarësisht ftesës nga Prokuroria, tashmë kur është lëshuar urdhërarresti, deputetja Haxhiu e pranon se i ka reduktuar daljet dhe në këtë mënyrë e ka të kufizuar edhe angazhimin politik.
Megjithatë, ajo paralajmëron kundërshtimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi në forma të ndryshme.

“Përgjigjja jonë krahas persekutimit të tyre është sigurisht angazhimi publik në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve shumë të dëmshme. Sigurisht kundërshtimi do të jetë në forma të ndryshme, për shkak të kufizimeve që kemi për nga përndjekja e pushtetit”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Ndryshe, deputetja e AAK-së, Kadaj-Bujupi, është arrestuar javën e kaluar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, ndaj së cilës edhe është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh.

Me kërkesë të Prokurorisë, urdhërarrest është lëshuar edhe për tre deputetë të tjerë të opozitës: Albin Kurtit, Albulena Haxhiut e Faton Topallit. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/haxhiu-nuk-e-kam-ndermend-te-paraqitem-ne-prokurori/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala