Harrojeni liberalizimin e vizave

Autori:Avdyl Pajaziti

Procesi i liberalizimit të vizave tashmë ka hyrë në fazën finale, ndërsa zyrtarët qeveritarë nuk e kanë idenë se kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm drejtë vendeve të BE-së.

Në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, Qeveria e Kosovës përmes ministrit Bekim Çollaku për herë të parë është treguar e sinqertë me qytetarët, duke mos i lënë ata që të shpresojnë kot për një liberalizimi të vizave brenda këtij viti.

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, ka thënë për KosovaPress se tashmë institucionet e vendit kanë hyrë në fazën përfundimtare të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, përkatësisht nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

“Jemi në fazën përfundimtare të përmbushjes së kritereve të përcaktuara për Kosovën në bazë të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Ajo çfarë mbetet është që pasi t’i përfundojmë detyrat e mbetura ne të dërgojmë një raport të Komisioni Evropian, pastaj i mbetet Komisionit Evropian të vlerësoj këtë raport, të vendos të dërgoj apo jo një grup verifikues për përmbushjen e kritereve”, ka thënë Ilazi.

Sipas numrit dy të Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE), institucioni që ai drejton ka synim që brenda këtij viti të gjitha obligimet që mbesin, ose që i kanë mbetur institucioneve të Kosovës, të përmbushen me sukses. Dhe vetëm pasi kjo të bëhet, sipas Ilazit, do të dërgohet raporti në Komisionin Evropian.

Se a do të lëvizin lirshëm qytetarët kosovar drejtë vendeve të BE-së deri në vitin 2016, këtë nuk e di asnjë zyrtar i MIE-së, dhe sipas Ilazit pikërisht heqja e vizave do të ndihmonte edhe në ndaljen e migrimit ilegal, fenomen ky i cili sipas tij ka përfshirë vendin në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe fillimin e këtij viti.

Ndërsa nënkryetarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Valdete Bajrami, ka thënë se Kosovës për dallim nga të gjitha vendet tjera të Ballkanit i është dashur të plotësoj kushte të tjera, gjë e cila rrjedhimisht ka ngadalësuar këtë proces.

“Në raportin e ministrit Çollaku ju jeni dëshmitar që ai ka potencuar që nuk shpresojmë të kemi liberalizim të vizave këtë vit. Përkundër faktit që nga Kosova është kërkuar të përmbush ndoshta kushte të cilat në asnjë vend tjetër nuk është kërkuar të përmbushen, e kam fjalën për dallim nga të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë Bajrami.

Sipas Bajramit deklarata e ministrit Çollaku është e para që u bë nga një pjesëtar i kabinetit qeveritar, për t’ua thënë më saktë qytetarëve që të mos mbajnë shpresa të kota.

“Po thjeshtë, liberalizim të vizave nuk do të ketë. Janë shumë arsye që ne si Kosovë kemi ngec ndoshta vet, një ndër to është miratimi i ligjeve dhe projektligjeve të cilat po bëhet muaji i tretë dhe ju e dini sa pak ligje kemi pas në Kuvend”, ka thënë Bajrami.

Për njohësin e integrimeve evropiane, Avni Mazrekun, vendi vazhdon të ketë si problem kryesor në heqjen e vizave reformimin e administratës publike. Mazreku ka thënë se për një reformë të tillë mungon vullneti politik, çka edhe është identifikuar në raportin e progresit të vitit të kaluar.

Sipas tij administrata publike e ka shndërruar vendin në një kontradiktë ekonomike, duke u bërë konsumuesi kryesor dhe njëkohësisht duke e penguar zhvillimin e sektorit privatë në vend, tek i cili, sipas Mazrekut, edhe duhet të mbështet zhvillimi ekonomik i vendit.

“Administrata publike duhet të reduktohet. Të krijohet hapësirë e zhvillimit ekonomik të vendit, përkatësisht të sektorit privat. Sepse zhvillimi ekonomik ndodh vetëm atëherë kur ka zhvillim të sektorit privat”, ka thënë Mazreku.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkan ndaj të cilit aplikohet regjimi i vizave. /KP/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/harrojeni-liberalizimin-e-vizave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala